Kursi i këmbimit të euros me lekun frenoi sot rritjen e shpejtë që kishte regjistruar në ditët pas zgjedhjeve lokale.
Advertisements
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehej të enjten me 112.38 lekë, në rënie me 1.05 lekë krahasuar me ditën e mërkurë.
Advertisements
Praktikisht, kursi i këmbimit të euros është rikthyer në nivelet ku ndodhej një muaj më parë, në fillimet e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rritja e shpejtë e euros gjatë kësaj jave ishte kryesisht rezultat i panikut dhe nuk justifikohej nga lëvizjet e kërkesës dhe ofertës.
Megjithëse deri të mërkurën kursi u rrit me pothuajse tre pikë nga kuota minimale historike që kishte prekur të enjten e kaluar, agjentët shpreheshin se në treg nuk kishte kërkesë të tillë për valutë që të justifikonte rritjen në këto përmasa.
Sipas tyre, luhatjet e forta të euros ishin më së shumti rezultat i faktorit psikologjik, të shkaktuar kryesisht nga pritshmëritë e krijuara në treg për periudhën paszgjedhore.
Burime nga tregu bëjnë të ditur se këtë herë tregu valutor është qetësuar pa pasur nevojë për një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë.
Pasi u bë qartë se rritja e kursit nuk mbështetej në lëvizjen e ekuilibrave të kërkesë-ofertës, agjentët e mëdhenj të këmbimit valutor korrektuan kursin në rënie dhe ulën ndjeshëm spread-et (marzhet e tregtimit) krahasuar me ditën e djeshme. Të mërkurën marzhi mesatar mes kursit në blerje dhe atij në shitje i raportuar nga Banka e Shqipërisë ishte 1.2 pikë, ndërsa sot ky marzh ka rënë në 0.8 pikë.
Lëvizjet e forta në kursin e këmbimit të euros krijojnë pasiguri të madhe, sepse monedha europiane dominon këmbimet tregtare të Shqipërisë, por edhe për shkak të një shkalle të lartë euroizimi të ekonomisë dhe sektorit financiar.
Ekspertët mendojnë se pas luhatjeve të forta të dy javëve të fundit, të ndikuar edhe nga faktorë psikologjikë, kursi i këmbimit euro-lek mund të gjejë një lloj stabiliteti për pjesën e mbetur të këtij muaji, ndërsa në muajt e verës tregu pritet të jetë subjekt i zhvillimeve sezonale që shoqërohen me një tendencë mbiçmuese të monedhës vendase.
Leku i fortë është amortizues për presionet inflacioniste që vijnë nga jashtë, duke qenë se ekonomia shqiptare është gjerësisht e varur nga importet e mallrave.
Gjithashtu, ai ndihmon një segment të rëndësishëm të huamarrësve që kanë kredi në valutë dhe të ardhura në lekë, për të zbutur pjesërish kostot shtesë që po shkakton rritja e normave të interesit.
Por, nga ana tjetër, forcimi i lekut ka një efekt negativ në sektorët eksportues të ekonomisë, sepse ul të ardhurat e tyre të shprehura në monedhën vendase, duke ushtruar trysni mbi marzhet e fitimit dhe mbi konkurrueshmërinë./Monitor