A dëshiron të ngelesh shtatzënë por nuk mundesh? Ja ç’duhet të dish

by author

A dëA dëshiron të ngelesh shtatzënë por nuk mundesh? Ja ç’duhet të dish!

Advertisements

Nga Dr. Lindita Myzyri, mjeke gjinekologe pranë Qendrës Shëndetësore nr.3 në Tiranë

Advertisements

Kush ka provuar të paktën një herë një shtatzëni, e di që në konsultorin e gruas do të përballet me një mori pyetjesh, këshillash e ekzaminimesh që ndonjëherë ngjajnë dhe fare pa rëndësi. Por a keni menduar ndonjëherë mbi rëndësinë e tyre?

Sa herë duhet të shkojë një grua shtatzënë tek mjeku gjinekolog? Cilave ekzaminime duhet t’i nështrohet? Pse është e rëndësishmë të mbani mend gjithçka mbi shëndetin riprodhues, që nga ardhja e menstruacioneve të para e gjer tek fillimi i jetës seksuale? A keni menduar ndonjëherë pse testimi patologjik bëhet vetëm për familjen e babait?

Këto dhe detaje të tjera mund t’i mësoni vetëm duke vazhduar leximin…

Doktoreshë, ç’duhet të dijë një grua para se të ngelet shtatzënë?

Para se të ngelet shtatzënë është shumë e rëndësishme që një grua të bëjë disa kontrolle dhe ekzaminime gjinekologjike për të parë nëse sistemi riprodhues është i shëndetshëm dhe i aftë për të nisur një shtatzëni.

Nëse sistemi riprodhues është i shëndetshëm, i themi të fillojë mjekimin me acid folik tre muaj para se ajo të mbetet shtatzënë, në mënyrë që të përgatitet edhe endometri për bebin e ardhshëm.

Por, përpara se të nisë bebin, duhet të bëjë dhe një konsultë paraprake me mjekun gjinekolog, pasi ekziston mundësia që shumë gra të kenë edhe infeksione, madje në raste të theksuara mund të bëhen dhe shkak për ndonjë abort.

Megjithatë, sot pjesa më e madhe e grave janë të ndërgjegjshme për rëndësinë e këtyre kontrolleve dhe vijnë, konsultohen para se të nisin një shtatzëni.

Sa vizita duhet të kryejë një femër gjatë shtatzënisë?

Në bazë të OBSH-së, një femër që lind për herë të parë duhet të kryejë 10 vizita, ndërsa një femër që ka lindur 2-3 herë e kështu me radhë, duhet të kryejë 7 vizita. Ndërsa ato që kanë kaluar një abort ose sëmundshmëri, e kanë si të thuash derën gjithmonë të hapur, por sigurisht kjo varet dhe nga lloji i abortit.

Për shembull, ajo femër që ka bërë një abort vetë, me dëshirë, ndiqet në bazë të protokollit si gjithë femrat e tjera. Ndërsa ajo që ka bërë abort pa dashje, një abort spontan, sigurisht që kujdesi është shumë më i madh, madje në këto raste kërkohet edhe biopsia e mostrës së abortit, por që në përgjithësi dalin pa shkak.

Çfarë ekzaminimesh duhet të kryejë ajo?

Femra bën analizën e gjakut, bën analizën e urinës, bën strishën vaginale, bën vizitën gjinekologjike, bën ekon. Nesë dalin të gjitha shumë mirë, është ok, nëse nuk dalin mirë, i nështrohet ekzaminimeve të tjera në varësi të problemit që ka.

Ndalemi pak tek kartela. Pse është e rëndësishme të pyetet pesha dhe gjatësia?

Pesha është një ndër treguesit më të rëndësishëm e cila matet muaj për muaj, përgjatë gjithë periudhës së shtatzënisë. Teoria se një femër duhet të shtojë 10 deri në12 kg ka ikur tashmë.

OBSH ka evoluar dhe kjo tashmë përllogaritet në bazë të peshës që femra ka pasur deri në momentin që ngeli shtatzanë, pasi dihet nuk mund të shtojnë njëlloj në peshë si ajo që është 80 kg, si ajo me 50. Megjithatë, si femra obeze, si ajo me peshë normale, nuk duhet t’i kalojë në asnjë mënyrë 18 kg gjatë shtatzënisë së saj.

Përsa i përket gjatësisë, edhe ky është një element shumë i rëndësishëm, pasi një femër që është më e shkurtër se 150cm është indikacion për operacion, pra nuk lind dot vetë.

Pse është e rëndësishme anamneza gjinekologjike, çfarë tregon ajo?

Anamneza gjinekologjike përfshin: kur ka ardhur cikli për herë të parë, nëse është i rregullt ose jo, sa ditë mbajnë, sasinë e ciklit, nëse ka përdorur kontraceptivë, kur e ka filluar jetën seksuale, etj. Veç të tjerash, këtu rëndësia qëndron në faktin se me anë të ovulacionit, ne përcaktojmë kohën e lindjes.

Pse është e rëndësishmë të dimë se kur ka filluar jeta seksuale?

Sepse sa më herët të ketë filluar jeta seksuale, duke parë dhe moshën e gruas që ke, të shkon mendja t’i bësh edhe ndonjë pap-test apo IST.

Ndalemi pak tek trashëgimia patologjike. Përse pyetet pikërisht për familjen e babait, dhe jo të nënës?

Pyesim gjithmonë për familjen e babait sepse ato janë të trashëgueshmë, nga nëna nuk trashëgohen sëmundje. Pyesim gjithmonë nga ana e babait, partnerit, por dhe gruas që është shtatzënë.

Cilat janë ato sëmundje që kanë më tepër prirje për t’u trashëguar?

Diabeti, hipetensioni, alergjitë, turbekulozi, kanceri, deformimet, epilepsia, barra binjake, sëmundjet renale etj.

Nëse nga ana e babait na rezulton të kemi familjarë me x sëmundje. Si i ndiqni ju këto raste?

Atëherë, mua si mjeke më tërhiqet shumë vëmendja për të ndërtuar strategjinë time, si do e ndjek këtë grua. Që do të thotë: nëse një grua gjatë shtatzënisë së saj e bën vetëm dy herë testin e glicemisë, kjo grua do ta bëjë më shpesh, dhe nuk do ta bëjë testin e glicemisë vetëm esëll, por do ta bëjë edhe pas ushqimit.

Me pak fjalë, do të shtojmë ekzaminimet në mënyrë që të gjykojmë nëse kjo femër është mirë.

Po një femër që ngelet shtatzënë në mënyrë rastësore?

Prandaj gjatë shtatzënisë kemi kaq shumë infeksione! Vetë shtatzënia ul imunitetin e organizmit për shkak se kemi një ndryshim hormonal. Duke qenë se ulet imuniteti, ndryshon dhe pehashi i organeve gjinore, duke u bërë shkak për mbivendosjen e infeksioneve.

Madje, një femër që ka ngelur shtatzënë mbi një infeksion, sado banal që të ketë qenë, në shtatzëni ai “ngre krye” dhe bëhet më rebel, aq sa mund të na çojë dhe në aborte.

A ndikojnë tek foshnja?

Nëse këto infeksione rezistojnë (vazhdojnë) edhe në tremujorin e tretë, patjetër që ndikojnë tek bebi duke i marrë ato gjatë rrugëve të lindjes. Prandaj grave u bëhen një sërë ekzaminimesh, deri tek mbjellja e sekrecioneve për të tipizuar se më çfarë lloj mikrobi kemi të bëjmë, që sigurisht duhet mjekuar patjetër para se gruaja të lindë.

Po babai duhet të bëjë ndonjë analizë?

Babait i kërkohet të bëjë analiza vetëm atëherë kur ankesa e gruas është se ka 2-3 vite që tenton për të mbetur shtatzënë, por nuk mbetet. Analizat kryesore që i bëjmë partnerit, përpos anamnezës, janë spermografi dhe ekoja e testikujve.

Një këshillë për gratë që duan të bëhen nëna?

Çdo grua para se të ngelet shtatzënë duhet të marrë një konsultë me mjekun gjinekolog. Edhe atëherë kur nuk kanë asnjë problem, të mos hezitojnë për t’u paraqitur pranë gjinekologut, të bëjnë një strishë vaginale, të bëjnë një analizë gjaku dhe urine, të bëjnë dhe një eko.

Pse? Më ka ndodhur në disa raste që femra ka mbetur shtatzënë dhe nuk e ka ditur fare që mitrën e ka me “perde të ndarë”. Bëhet fjalë për ato raste që nuk e kanë bërë asnjëherë ekon dhe konstatohen kur janë 5-6-javëshe shtatzënë.

Ky problem do një trajtim specifik të gruas, sepse ndodh që të spostohet cipa dhe mund të na ndodhë një abort pa shkak. Kur e di, trajtimi fillon që në krye të herës të jetë i kujdesshëm, duke shmangur dhe pasojat.

TË NGJASHME