Më 17 mars, nisën të martat e pelegrinazhit në Kishën e Laçit, por si pasojë e pandemisë dhe gjithçka që vijoi më pas, kryebashkiakja e Laçit, njoftoi pezullimin e këtij rituali të përvitshëm, por tani që vendi u hap plotësisht, janë të shumtë qytetarët që i drejtohen kësaj zone që njihet si vend i mirë.
Advertisements
Nisur nga eksperienca e viteve të tjera, më 12 qershor besimtarët qëndrojnë atje, për të pritur datën 13, por ç’duhet të dini nëse do të shkoni për herë të parë në Kishën e Laçit?
Advertisements
Zona njihet si vend i mirë, ku besimtarët e krishterë dhe jo vetëm drejtohen për t’iu lutur Zotit, për të hequr siklete e a për mbarësi. Rekomandohet që pelegrini të niset me një ide të qartë dhe të vetme në mendje.
Pelegrinazhi në këmbë nis tek fillimi i shkallëve. Besimtarët më të mëdhenj, ata që kanë probleme të mëdha shëndetësore apo një hall madhor preferojnë t’i ngjisin në këmbë shkallët, pasi konsiderohet sakrificë. Rruga në këmbë është e gjatë dhe e mundimshme.
Kur arrin në buzë të kodrës, pelegrinët hyjnë në brenda në Kishë ku edhe luten për arsyen që i solli aty. Mund të qëndroni sa të keni nevojë.
Pas kësaj, pelegrinët vizitojnë shpellën e Shën Vlashit aty pranë. Në brendi, mund të lini rroba, fotografi, dokumenta a gjëra të ngjashme që kanë lidhje me problemin tuaj. Porsi në Kishë, edhe në shpellë mund të luteni. Në dalje të shpellës qëndron prifti që prek besimtarët dhe u pranon lutjet, si të thuash.
Pelegrinët ngjiten sërish lart dhe bëjnë ritualin e ujit të bekuar. Jashtë ndodhen dy çezma pikërisht për këtë funksion. Me dorë preket uji dhe po me atë dorë fërkon zonën ku keni problem në trup. Përshembull, ata që vuajnë nga dhimbje kronike koke, fërkojnë kokën. Më pas, bëhet kryqi.
Në fund, ndizen qirinjtë në një zonë të posaçme jashtë. Qirinjtë mund t’i merrni me vete, ose mund t’i blini tek shitësit aty pranë. Gjithashtu mund të blini hajmali të ndryshme për fat të mbarë, ose të merrni një gur nga vendi i shenjtë a ujë të bekuar për ta sjellë në shtëpi.
Vizitat në Kishën e Laçit duhen bërë gjithmonë në numër tek. Pra, ose duhet të shkoni një të martë, ose tre të marta, pesë të marta, e me radhë. Nëse e keni bërë ndërmend të shkoni, duhet të shkoni patjetër. Pelegrinazhi për në Kishën e Laçit s’mund t’i lihet rastësisë e as pezull.
Qarkullojnë fjalë se gratë nuk mund të hyjnë në Kishë teksa menstruojnë, por kjo praktikë nuk ndiqet nga të gjithë.
Këshilla më e rëndësishme nga të gjitha është të besosh, të ndjesh energjinë e vendit dhe të kesh zemër të hapur. Pelegrinazhi në Kishën e Laçit është një përvojë shpirtërore më tepër se fetare dhe pragmatizmi s’mund të jetë kurrsesi i dobishëm.
Këtë vit, mos harroni t’i shtoni vizitës suaj në kishë, maskën, dorezat dhe padyshim, evitoni grumbullimet.