Rozeta dhe Havier Dobi, nënë e bir, të dy banues në Tiranë janë të arrestuarit e policisë në operacionin e kodruar “Inside”, pasi akuzohen se kanë vjedhur në banesën e pronarëve ku 49-vjeçarja punonte, një shumë rreth 120 mijë euro dhe sende me vlerë.
Advertisements
Policia tha se gruaja ka kryer vjedhjet në një banesë në “Rrugën e Kosovarëve” në kryeqytet, gjatë kohës që ishte e punësuar si sanitare.
Advertisements
Mësohet se me paratë e vjedhura, 23-vjeçari ka blerë dy automjete.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, Policia tha se kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
Njoftimi nga Policia Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Inside”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2, si rezultat i një hetimi me metoda speciale proaktive.
Vodhën në një banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, vihen në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese dhe djali i saj.
Sekuestrohen mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i provave të siguruara falë një pune të mirëfilltë hetimore, trejavore, të realizuar me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Inside”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve:
– R. D., 49 vjeçe dhe H. D., 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë.
Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.