“Ndrangheta” është një nga katër prej dhjetë organizatave kriminale më të famshme në botë, me bazë në zonën e Kalabrisë në Itali.
Bashkë me ‘Camorran’ në Campania, ‘Cosa Nostran’ në Siçili dhe ‘Santa Corona Unitan’ në Pulia, kjo organizatë, konsiderohet si një ndër 10 më të fuqishmet në botë.
Advertisements
Prania e saj, u shfaq për herë të parë në mesin e dytë të shekullit të 19-të, ku sot përbën kuartetin e famshëm të asaj që njihet si mafia italiane, duke tejkaluar edhe ‘Cosa Nostra-n’ si grupi mafioz më i fuqishëm në vend dhe një nga rrjetet më të mëdha kriminale në botë.
Advertisements
Kjo organizatë me bazë të gjerë ndërkombëtare, nuk mund të ishte e plotë edhe pa shqiptarët, një realitet tashmë i prekshëm i botës së madhe të krimit.
Që pas viteve 2000, shqiptarët janë kthyer nga ushtarë tashmë në organizues kryesorë të trafiqeve ndërkombëtare të drogës nga Amerika Latine në Evropë, por edhe në Ballkan.
“Në shënjestër” sjell rastin e një prej këtyre shqiptarëve që duket se arriti një sukses të admirueshëm në hierarkinë e mafies italiane, u bë edhe Bujar Sejdinaj shqiptari që në rrethin e ngushtë të ‘Ndranghetas’, njihej si ‘Xhaxhai’, njeriu që mendohej se ishte përfaqësues i familjes së njohur mafioze ‘Belloco’ dhe që lidhte fijet e ‘Ndranghetës’ në Shqipëri dhe Ballkan.
“Sejdinaj u arrestua gjatë një operacioni të shtrirë në disa vende si Kosta Rika, Argjentinë, Itali dhe Shqipëri, së bashku me gjashtë persona të tjerë mes tyre edhe bashkëpunëtorin e tij Adrian Çekini, të dy nga Elbasani”, thuhet në dosjen detimore të Italisë.
Sejdinaj i njohur me nofkën ‘Xhaxhai’ mohoi të kishte lidhje me Ndrangheta-n, pasi sipas tij ai është marangoz.
Ai këmbëngulte se vetëm njëherë kishte udhëtuar drejt Italisë, por në dosjen hetimore thuhet se Sejdinaj kishte organizuar blerjen e rreth 20 kg kokainë.
Në dosje theksohet se hetuesit kanë gjurmuar anëtarë të familjes ‘Belloco’, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri, konkretisht në Elbasan, me qëllim për të takuar Sejdinaj dhe Çekinin.
“Në vitin 2019, Alessandro Fonti anëtar i familjes mafioze ‘Belloco’ ka ardhur në Shqipëri për të takuar dy bashkëpunëtorët Çekini dhe Sejdinaj.
Në këtë takim Adrian Çekini ka ndërmjetësuar për udhëtimin e mëtejshëm të ‘Xhaxhait’ drejt Italisë.
Më datë 22 shkurt, Gianfranco Marono, Fonti dhe ‘Xhaxhai’ kanë realizuar në Santiago de Compostela në Spanjë, një takim me furnizuesin e drogës me të cilin mendohet se është koordinuar importi.
Takimet kanë vazhduar më tej brenda muajit për të realizuar blerjen.
Veprimtaria mes anëtarëve është kryer në mënyrë mafioze dhe me qëllim për të ndihmuar organizatën e ‘Belloços’”, thuhet në dosjen italiane.
Bujar Sejdinaj që dyshohet se është pjesëtar i ‘Ndranghetas’, organizatës së famshme mafioze në Itali, por edhe përfaqësues i familjes mafioze ‘Belloço’, ashtu si edhe Ardian Çekini, tashmë është ekstraduar në Itali.
Por siç thamë lidhjet e shqiptarëve me oganizatësz mafioze ‘Ndrangheta’ janë të hershme.
Madje, alarmin për këto lidhje e ngriti dhe prokurori i Përgjithsnhëm i Antimafias italiane Cafiero De Raho gjatë një interviste për Neës 24.
Ai tha se ‘Ndrangheta’ po operon në Shqipëri dhe po pastron para.
“Kriminaliteti shqiptar është një kriminalitet që i referohet modelit mafioz italian, ushtron kontroll të territorit, kryen aktivitet kriminal, në rradhë të parë trafik droge.
Nëse më parë ishte përfshirë në administrimin e trafikut të marijuanës, sot merret edhe me kokainë bashkë me ‘Ndranghetën’.
Kriminaliteti shqiptar ka hyrë në një rreth kriminaliteti të lartë, pra një rreth që arrin të investojë para jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj”, deklaronte ai.
Arrestimi i dhjetëra anëtarëve të grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s’, nxorri në pah lidhjet e tyre me zyrtarë të lartë në Shqipëri.
Në përgjimet e prokurorisë së Antimafias së Catanzaros, del në pah një skemë pastrimi parash.
Në mesin e të arrestruarve në Itali ishin edhe Kryetari i bashkisë së Rosarno në Kalabri, Giuseppe Idà, një këshilltar komunal i së njëjtës komunë, Domenico Scriva, si edhe sipërmarrësi kalabrez Antonio Gallo i njohur me nofkën ‘Princi’, ish-Nëntenenti i Guardia di Finanza, Ercole D’Alesandro, sipërmarrësit Tomaso dhe Saverio Brutto që po përpiqeshin të hynin dhe në tregun shqiptar.
Po ashtu, Tomaso Brutto është dhe këshilltar në komunën e Catanzaros, ndërsa Saverio Brutto këshilltar në komunën Simeri Crichi në provincën e Catanzaros.
Nga përgjimet rezultonte se sipërmarrësit italianë të arrestuar kishin hapur biznese dhe në Shqipëri, veçanërisht në ndërtim dhe shëndetësi.
Sipërmarrësit Antonio Gallo dhe Antonio Speziali flasin me avokatin Claudio Larussa, përfaqësues i politikanëve Tomaso e Saverio Brutto për tu lidhur me zyrtarë në Bashkinë e Tiranës.
Përgjimet:
Gallo: Kërkojnë financues më tha. Gjejmë një sipërmarrës që është mirë dhe banka e financon. Mund të bëhen para pasi shiten 4-5 milionë për metër, gjysma e Tiranës.
Speziali: Apartamentet?
Gallo: Apartamentet. Ky ka në duar tri licenca gradaçelash, ky konstruktori.
Speziali: 4000 euro jo… 2700-2800 euro.
Brutto: Për atë perëndi….në qendër të Tiranës?
Gallo: Në gradaçelat e reja shiten 3800-4000 euro për metër katrorë. E di sa është kosto e vërtetë? 510 euro.
Speziali: Po nëse e bën diçka luksoze…
Brutto: A mund të flasim me këtë Nikun?
Gallo: Nëse je në Romë më 9 nëntor vjen. Është Presidenti i Grupit Sol në Shqipëri, i oksigjenit, ka lidhje me spitalet, me Enel, me të gjitha ka lidhje. Ma tha qartë se tenderat duan 20 % -shin më tha.
Por mund ta paguajnë ata (i referohet Nik).
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi hetimet nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, por ende nuk ka rezultat.
Pak kohë para se të dënohej në Itali për lidhje me organizatën mafioze ‘Ndrangheta’, Amedeo Matacena, një ish-deputet i partisë së Silvio Berlusconit i hodhi sytë drejt Shqipërisë për të investuar miliona euro në projekte biznesi.
Në korrik 2014, drejtoria e Hetimeve të Antimafias në Itali, DIA zbuloi në paradhomën e Matacenas projekte mbi një linjë hidrocentralesh të vogla në Gomsiqe të Pukës, për të cilat ish-politikani kontrovers kishte shfaqur interes që prej fillimit të vitit 2012.
Projektet u zbuluan në kuadër të një hetimi që Antimafia po kryente ndaj ish-ministrit Claudio Skaiola dhe bashkëshortes së Matacenës,
Chiara Rizzo, kjo e fundit e akuzuar edhe se po shtynte përpara projektet e të shoqit, në përpjekje për të fshehur dhe pastruar pasuritë që rrezikonin të sekuestroheshin.
Një prej këtyre investimeve ishte tentativa e parealizuar për të blerë prej koncesionarit shqiptar rreth 79 për qind të aksioneve të një linje hidrocentralesh të vogla që do prodhonin 20 MË energji, në Gomsiqe të Pukës.
Rizzo dhe Matacena po çonin përpara një projekt për një hidrocentral në Shqipëri”, dëshmoi sekretarja e Matacenas për DIA, sipas hetimit të publikuar nga Corriere Della Calabria.
Plani i Matacenës për investime në projekte energjetike nuk është i vetmi rast ku bashkëpunëtorë apo segmente të mafias italiane e projektojnë Shqipërinë si një ‘lavatriçe’ të parave të tyre të pista.
“Grupet kriminale shqiptare dhe “Ndrangheta” gjenden bashkë thuajse në çdo operacion të madh të trafikimit të narkotikëve,” theksohej në një raport të DSCA.
Luciano Nocera- i penduar i ‘Ndranghetës’, dëshminë e të cilit BIRN e disponon duket madje i vënë në dijeni për lëvizjet politike në Tiranë.
Përballë një prokuroreje italiane, ai rrëfen se ‘një politikan shqiptar i kishte dërguar një makinë, e cila do të përdorej me gjasë në trafikun e drogës.
“…sepse më pas do na jepte rrugët për të bërë që të vinte marijuana këtu, doktoreshë. Sepse në Shqipëri… Pastaj do digjeshin të gjitha plantacionet,” i thotë ai prokurores që po e merrte në pyetje.
Në Tiranë, Domenico Papalia u ngjit në majën e piramidës së një grupi biznesi, të quajtur Stargold Albania shpk dhe investoi disa qindra mijëra euro në një dyqan floriri.
E sinjalizuar nga Interforza më 21 prill 2016, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Tiranës vendosjen sekuestros preventive mbi llogaritë bankare dhe asetet e Stargold Albania sh.p.k, e dyshuar për lidhje me “Ndrangheta” dhe për pastrimin e parave të saj.
Sipas raportit për sekuestrim të dorëzuar në Gjykatë, problemet për Stargold filluan në tetor të 2015, kur Domenico Papalia, i shpallur në kërkim si pjesë e ‘Ndranghetas’ u bë aksioner i kompanisë.
“Sipas kontratës për shitjen e kapitalit dt. 20.10.2015 rezulton se ortak i ri i shoqërisë Stargold Albania sh.p.k është bërë shtetasi Italian Domenico Papalia, i cili ka blerë rreth 30 % të kapitalit.
Sipas informacionit policor rezulton se ky shtetas italian është pjesë e grupit kriminal Ndrangeta Itali.
Prokuroria shqiptare ka marrë për këtë rast nga homologët italianë vetëm informacion policor, sipas të cilit ortakët e kompanisë ishin përfshirë “kryesisht në vepra penale të marrjes së pronës në mënyrë të paligjshme”, por thotë se ka krijuar dyshime të arsyeshme se pasuritë e “shoqërisë Stargold Albania sh.p.k janë produkt i aktiviteteve kriminale”, thuhet në dosjen hetimore.
Me vendimin e gjykatës, sekuestros i janë nënshtruar 141 mijë euro dhe 53 mijë lekë që janë gjetur në llogaritë bankare.
Prokuroria nuk bën të qartë nëse dy aksionerët e tjerë dhe administratorja shqiptare e kompanisë kishin informacion për këto fakte.
Kompania rezulton e regjistruar që prej mesit të viteve 2000 dhe aktiviteti i saj përfshin transferime në më shumë se gjysmë milionë euro mes Shqipërisë, Italisë dhe Maqedonisë që prej vitit 2006./bw/