Dosja e inceneratorëve duket se do të tronditë shumë politikanë dhe zyrtarët të lartë në Shqipëri, të përfshirë në këtë megaaferë korruptive, për shkak se është në fazën përmbyllëse të hetimit. I rrezikuari kryesor është ish-ministri socialist Arben Ahmetaj. Ky i fundit qëndroi prej më shumë 6 orë në SPAK dy ditë më parë, duke iu përgjigjur pyetjeve të hetuesve për rolin e tij në dy dosje: inceneratorët dhe privatizimet.
Advertisements
Por çfarë ka ndodhur brenda dyerve të Prokurorisë së Posaçme? Mësohet se Ahmetaj ka sqaruar pozicionin e tij për çështjen e inceneratorëve dhe ka mohuar lidhjen me Klodian Zoton për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen. Para prokurores Enkeleda Millonai, teksa ka folur për vilën në Hamallaj ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses Erjola Hoxha, me të cilën bashkëjeton që nga viti 2022. Sipas Ahmetajt, Zoto nuk ka patur vilë në Hamallaj që t’ia falte dhe s’kishte pse ia falte, pasi ai s’ka patuar asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët. Para SPAK ai ka kërkuar rrëzimin e urdhër sekuestros, që u ekzekutua më 24 mars 2023. Kujtojmë se një kërkesë e tij erdhi dhe në prill të 2023, ku Gjykata e Posaçme e Apelit, e refuzoi këtë vendim.
Advertisements
Çfarë mori SPAK nga vila e sekuestruar e ish-gruas së Ahmetajt
Kontrollet në banesën e Ahmetajt janë bërë në kuadër të procedimit 277/1, ku SPAK po kryen hetime për inceneratorin e Elbasanit. Enkeleda Millonaj dhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, janë dy prokurorët që po kryejnë hetimet ndaj Ahmetajt, të cilët kanë urdhëruar edhe kontrollin e banesave të partneres dhe ish bashkëshortes së deputetit socialist. Fillimisht agjentët të pajisur edhe me vendim gjykate kanë kontrolluar vilën e partneres së deputetit në Hamallaj. Ku përveç dokumenteve të vilës, që sipas hetueve do i vlejnë hetimit është sekuestruar edhe një shumë parash, rreth 30 mijë euro. Më pas agjentët kanë vijuar me kontrollet e ish bashkëshortes së Ahmetajt. Në banesën e saj nuk janë gjetur as para e as sende të kundra-ligjshme. Por, SPAK ka mundur të sekuestrojë dokumente ne këtë banesë që mund t’i vlejnë hetimit.
Si filluan hetimet ndaj Ahmetajt?
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal ndaj Arben Ahmetajt, që prej dhjetorit të vitit të kaluar, teksa SPAK po heton për procedurën e koncesionit që është dhënë në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Referuar burimeve, SPAK është duke mbledhur prova e të dhëna, edhe nga kompjuterët e sekuestruara dhe të e-maileve, që janë shkëmbyer mes ish zv kryeministrit dhe fituesve të koncensionarit. Hetuesit janë duke verifikuar të gjitha komunikimet që ish zv kryeministri ka kryer me personat nën hetim që fituan koncesionin. Gjithashtu SPAK po kryen veprime hetimore, ku janë duke u verifikuar me anë të sistemit TIMS, të hyrje daljeve të Ahmetajt, në periudhën kur edhe janë prenotuar hotelet nga Klodian Zoto, pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit.
Situatë “e nxehtë” brenda PS
Thirrja e Ahmetajt ka nxehur situatën brenda Partisë Socialiste. Gazetari Lavdrim Lita tha në një studio televizive se nëse arrestohet Arben Ahmetaj, ministrat e tjerë por jo vetëm ata, do të frikësohen. Sipas gazetarit SPAK-u tashmë po futet paradhomën e kryeministrit Rama. Ai ka kujtuar se Ahmetaj ka qenë i vetmi person që mund të futej pa trokitur në zyrën e Kryeministrit duke treguar kështu afërsinë e tij me Edi Ramën. “Nëse zoti Ahmetaj do të arrestohej, këmbët e ministrave por jo vetëm, do dridhen. Nëse SPAK hyn në paradhomën e ministrit Rama, kjo është një gjë shumë seriozë. Në kabinetin qeveritar zoti Ahmetaj ishte i vetmi ministër i cili hynte pa trokitur në zyrën e Edi Ramës dhe ishe i vetmi person që e bënte për të qeshur Edi Ramën. Imagjinoni sa i afërt ka qenë ky person pas Saimir Tahirit në qeveri dhe në këto momente është pishmani i tij i dytë”, tha gazetari Lavdrim Lita.