Muharrem Çopani djali i Titit; “Me flori të ma shtrojnë nuk largohem nga Durrësi”
-Zanati i berberit trashëgimi në fisin e Çopanëve
-Petrit Çopani, e mori zanatin nga gjyshi dhe ia dorëzoi të birit
-Klientela e Muharremit, nuk shteron që nga viti 1995
Advertisements
-Është i bindur që me zanatin, është në pasion por edhe në mirëqenie
-Puna dhe tradita, i kanë dhënë famën që e kërkon cilido
-Punon 12 orë në ditë, duke i shërbyer 50 klientëve
Advertisements
-Lodhje sa të duash, por në fund kënaqësia i mbulon të gjitha
…Por ky Çopani i ri, ky Muharrem i thjeshtë, por shumë, shumë i madh në mjeshtri dhe zotnillëk, është më i bukuri, më i shkëlqyeri. Edhe koha, ia jep këtë të drejtë…
Nga Bujar Qesja
Optika e gazetarit, veçanërisht e profesionistit, pasi në këtë kohën e sotme ky zanat po kthehet si merkato e futbollistëve, është e larmishme. Jemi qyetarë, klientë, konsumatorë, por në fund kemi një detyrë, që është profesioni, përkushtimi, pasoni dhe zelli për ta ushtruar sa më mirë atë. Teksa lëviz, hulumtimi bëhet pjesë dhe detyra “shekullore” që kam, kërkon të kapë të veçantën, të bukurën, e vlefshme për t’u bërë e njohur.
Na kanë kaluar shumë fakte dhe kemi shkelur mbi to. Disa të tjera nuk i vëmë re, kthehen në rutinë të përditshme dhe mësohesh. Por kur vëmëndja ngacmon këtë që quhet reagimi ynë, atëhere bëjmë autokritikën në formën e shkrimeve kësisoj. Kam 30 vite, që jam klient i berberit të njohur Petrit Çopani dhe në vijimësi edhe i djalit të tij Muharrem Çopani. Fjala berber, sipas fjalorit të gjuhës shqipe do të thotë: “ai që ka për mjeshtëri të qethë flokët, të rruajë, floktar”.
Kur bëra ritin e zakonshëm këto ditë, i thashë vetes:
-Si nuk të ka shkuar ndërmënd të shkruash për Tit Çopanin dhe djalin e tij Rremën? Punëtorë të mëdhenj. Njerëz për t’u pirë në kupë. Gjithë Durrësi i mban në gojë. Mbeten pjesë e çmuar e jona. As nuk kanë për të na thënë ndonjëherë që të shkruajmë për to, nëse nuk na vete mëndja ta bëjmë këtë punë.
Dhe menjëherë vendosa, të laj vonesën e deritanishme. Zanatçiu vlerën e ka brenda vetes. Por fjala e mirë sigurisht që e gëzon, veçanërisht kur është e merituar. Muharrem Çopani është lindur në Durrës në vitin 1982 dhe i bie tani të jetë 41 vjeç. Por kur mëson se zanatin e krehërit dhe gërshërës, e nisi që në vitin 1995 kur ishte 13 vjeçar, e qortova veten, se si mund të më shpëtonte pa shkruar për këto të mirët njerëz.
Përfytyroni një fëmi 13 vjeçar, të qendrojë në këmbë jo pak por shumë orë, me dëshirën dhe pasionin e jashtëzakonshëm për të mësuar zanatin e babait. Është mrekulli. Jo vetëm e mësoi dhe e mësoi jashtë çdo parashikimi, por ka 28 vite që e ushtron. Ajo që ia rrit vlerat është, se as nuk ka ndërmënd të tërhiqet, mos bëftë ndonjë surprizë për ta trashëguar edhe më tej.
Gjithnjë i falem urtësisë së popullit :”për gjëra të mira, asnjëherë nuk është vonë”. Me dëshirën më të madhe, vendosa të hedhë rradhë mbi letër, për këto zanatçinj të familjes Çopani.
Shikoj përbëri xhamit të stërmadh të punës, një foto. Pickoj sytë, për ta parë me shumë kujdes. Më emocionoi pa masë. Thjeshtësia, është mënçuria e tyre. Një foto që më bindi që Muharrem Çopani nuk lëviz jo vetëm nga zanati, por as nga Durrësi. Sepse në këtë qytet kanë bërë emër dhe mbiemër. Kanë bërë shtëpi dhe katani. Kanë traditën dhe trashigiminë. Dhe kërkojnë ta ruajnë fort atë.
Rrema ka informacion të plotë, që zanatin e berberit ushtroi derisa mbylli sytë gjyshi i tij Muharrem Çopani, i datëlindjes 1900. Edhe xhaxhai i tij Xhemal Çopani, berber me nam. Dhe këtë nam e ngriti lart Petrit Çopani. Për ta ngritur akoma edhe më lart Çopani xhunjor, 41 vjeçari i mrekullueshëm, i urti dhe i qeti Muharremi.
Sytë më janë ngulur tek kjo foto, duke qendruar në qetësinë e tyre dy njerëz. Janë babë e bir. Është Titi dhe Muharremi. Është viti 1995. Rrema ishte i vogël. I bëhet krah të jatit, në moshën 13 vjeçare. “Bëmë baba të të ngjaj”. Dhe djali ia kaloi babait, duke i dhënë nder dhe krenari jo vetëm vetes, por edhe Tit Çopanit, i cili loton nga gëzimi. Fotoja e jetës do ta gjykoja. Është vendosur thjesht në një kornizë, duke i dhënë forcë dhe kurajo Rremës sa herë që e shikon.
Sa më gëzon kjo punë e Muharremit! Sa i lehtësuar jam, që munda më në fund të reagoj, ndaj një dukurie të cilën duhej ta kapja me kohë! Kur përmënd Petritin, kujtesa më shkund skorjet e trurit, për të dalë më e mira e mundshme. Zanati i berberit ka trashigimi të pasur në këtë Durrësin tonë. Kujtoj këtu Bab Tepshin, burrin simpatik që dallonte nga mustaqet, ia qendisnin fytyrën.
Është në kujtesën time gjithjashtu edhe Lym Belba, Ramazan Thërmija, Met Kadiu, Agim Shima. Nuk mund të harroj Qazim Dakolin, mbiemër i njohur i këtij zanati. E thjesht do të kujtoj si emra, pasi jo të gjithë mbiemrat mund të iventarizohen në mëndje si Bexheti, Liku, Bedi, Reshiti, Shyqyriu, Diku i Shijakut. Për të mos harruar Lym Zallën, energjikun e jashtëzakonshëm.
E bëra këtë kujtesë, për të nxjerrë në pah Tit dhe Muharrem Çopanin, për të thënë se Durrësi është me shumë traditë në këtë zanat. Kujtesa nuk më lë të qetë, për të thënë edhe këtë tjetrën: se lokalet e berberëve, ishin kthyer në qendra të fuqishme sportive, ku mblidheshin tifozë, diskutonin për sportet dhe debatet ishin nga më tërheqëset. Jemi rritur me këtë frymë dhe jemi në të drejtë të Zotit, kur i kujtojmë me aq mall, me aq sentment.
Pa i lënë të kuptojë se do të shkruaj për të, natyrë e kahershmje e imja për të mos rënë në sy, nisa bisedën me Muharrem Çopanin:
-Sa orë punon?
-Hap qepenin në orën 8.00 dhe e mbyll diku nga ora 21, 22.00. Pak pushim në drekë. Hesapin bëjeni vete!
-Klientë sa të bëhen në ditë?
-Shkojnë 50.
-Të hershëm janë, apo ka edhe të rinj?
-Të hershëm the? Ky zotnija që sapo iku, kam qenë 13 vjeçar kur nisa ti prej flokët, e ti vendos shkumë në fytyrë. Kështu shumica.
-Ke dëshirë të punosh jashtë?
-Me flori të ma shtrosh nuk lëviz nga këtu. Jo vetëm se Durrësi është qyteti im, por këtu ushtroj për mrekulli zanatin. Punoj shumë, natyrisht edhe fitoj. Përpiqem të plotësoj të gjitha kushtet e jetesës. Punoj fort, shumë fort. Por kënaqësia është shumë e madhe.
-Kënaqësi të lodhesh kaq shumë?
-Nuk mund ta besoni se kënaqësia së pari, është tek prania e njerëzve. Koha kalon vërtet duke punuar, por edhe biseda nga më të ndryshmet zhvillojmë. Kjo punë më ka dhënë edhe kulturë, edhe shkallë njohje. Në fund të fundit, shijoj djerësën time miku im.
Mos harrojmë: jemi me 18 korrik 2023. Po kthehet problem kombëtar largimi jashtë Atdheut, sidomos i të rinjve. Thjesht të thonë për punë, për fitim, për jetë më të mirë. Asnjëherë nuk e kam vendosur veten dhe skam arsyje që ta bëj, në rolin e moralizuesit. Secili i mendon dhe i gjykon vetë hallet e tij. Por nuk mund të mos e nënvizoj, shembullin e këtij 41 vjeçari që quhet Muharrem Çopani, që mban të hapur prej aq sa nuk mbahet mënd dyqanin që i la i jati, duke punuar me nder, e nga kjo duke mbetur edhe shumë i kënaqur.
As Rrema vetë po ta pyesësh, nuk kërkon të veçohet e ta marrësh si shembull në pozitat ta zemë të patriotit. Nuk është vendi këtu, për të treguar patriotizëm. Pasi edhe unë vetë jam një Muharrem Çopani. Kërkesa dhe oferta sa të duash kemi patur. Por edhe unë si Muharrem Çopani them:
-Sa ndjehem durrsak në Durrës, nuk ndjehem as në Itali, as në Gjermani, as në Angli, madje as edhe në Amerikë. Këtë nuk e shpreh për patriotizëm, se sa për të thënë kryesoren: ndjehem më pranë zemrës dhe shpirtit tim. Këtu ndjehem ai që jam dhe jo ai që duhet të jem.
Prandaj më ngjit shembulli i Muharrem Çopanit. Prandaj “dogja” fytyrën në furrën e picajolit të shkëlqyer, djalit flori Gazmend Bleta, që e bëra shembull para pak ditësh. Dhe do të vazhdoj të kërkoj shembuj të tillë pa u mërzitur, pa u lodhur, pasi vetëm kështu do t’i bëj nder Durrësit dhe durrsakëve. Natyrisht edhe atdhedashuria është në valle këtu, por mbi gjithçka ana shpirtërore.
Muharrem Çopani. Djali i 75 vjeçarit Petrit Çopani, i këtij njeriu të mirë, tipik durrsak i ëmbël. Muharrem Çopani, stërnip i Muharrem Çopanit të parë. Muharrem Çopani nipi i Xhemal Çopanit. Që të gjithë mjeshtra, në atë që quhet zanati i berberit. Që të gjithë me rrënjë në Durrës, të ardhur këtu gati para një shekulli.
Por ky Çopani i ri, ky Muharrem i thjeshtë, por shumë, shumë i madh në mjeshtri dhe zotnillëk, është më i bukuri, më i shkëlqyeri. Edhe koha, ia jep këtë të drejtë.
*Pamja e parë, foto me shumë mall dhe sentiment: Petrit Çopani dhe i biri 13-vjeçar Muharrem Çopani. Foto e vitit 1995.
*Pamja e dytë: 41 vjeçari Muharrem Çopani gjatë punës.