Pas kontrolleve të kryera dje në banesat e familjarëve dhe të ish-ministrit Arben Ahmetaj, ka ardhur një reagim nga ky i fundit. Ahmetaj, i cili është larguar jashtë vendit, ndërkohë që SPAK ka kërkuar arrestimin e tij, zgjodhi të reagojë me anë të një statusi në Facebook.
Advertisements
Ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po vazhdon të paguajë thasë me para për inceneratorët e Zotos dhe Mërtirit.“U bë reprezalja e radhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë.
Advertisements
Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”. Ndërsa “spin doctor”/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro…Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milionë euro imagjinarë. Fake neës e prodhuar në laboratorët e ortakërisë mediatike dhe jo vetëm, të inceneratorëve”, tha ai.
Hoxha: Ahmetajt mund të flasë nëse kalohet masa
Ndërkohë, për gazetarin investigativ Artan Hoxha, Arben Ahmetaj nuk do të kthehet që të përballet në drejtësinë në Shqipëri, por do të vijojë të çojë mesazhe nga larg që mund të thotë se do të flasë nëse kalohet masa. Hoxha tha, se kush dorëzohet në burg që të luftojë pushtetin e ka të humbur davanë.
“Në momentin kur vihesh nën masë sigurie nuk ke shans të negociosh gjë përveç pjatës së supës atje brenda. Kushdo që ka qenë edhe një ditë të vetme në burg e di se ça është atje brenda. Se është diçka tjetër nga kjo bota reale që kemi ne këtu. Kush vendos që të dorëzohet në burg dhe nga burgu dhe nga burgu të luftojë me pushtetin e ka të humbur davanë. Jo vetëm politikanë, por edhe në nivele të tjera. Ai intereson z. Ahmetaj që të flasë? Unë mendoj që jo.
Z. Ahmetaj i intereson që të çojë mesazhe që ai edhe mund të flasë nëse kalohet masa. Je në një lojë shahu. Ti lëviz ushtarin, ai lëviz oficerin. Ti lëviz kalin, ai do të lëvizë torren. Të jesh i bindur që situata do të jetë kështu. E di nga e kam këtë siguri? E mbaj mend nga historia që publikoi video e Dritan Priftit. Përballja filloi e fortë. Po të hapej kompjuteri i Dritan Priftit, prandaj e groposën thellë”, tha Hoxha.
Azili politik
Ndërkohë, teksa flitet se Ahmetaj mund të kërkojë azil politik, avokati shqiptar në Londër Naim Hasani, ka zbuluar dje gjatë një interviste televizive, kriteret që duhet të plotësojë ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj për të fituar azilin politik në Britaninë e Madhe. Avokati theksoi, që një person të fitojë azilin politik duhet të provojë përballë autoriteteve se jeta e tij është në rrezik në vendin e origjinës.
Sipas tij Ahmetaj duhet të provojë se nga kush ndihet i kërcënuar dhe përse ndihet i tillë. Sipas avokatit me informacionin që mund të ketë Ahmetaj si pjesë e qeverisë, ai mund ta fitojë azilin politik në Britaninë e Madhe.“Të kërkosh azil në Britani është një e drejtë universale e çdo personi të cilit jeta e tij është në rrezik dhe shteti nga vjen as nuk mundet dhe as nuk ka dëshirë të mbrojë jetën e tij. Ky është elementi kryesor që duhet të bind autoritetet e vendit ku kërkon mbrojtjen kombëtare, se jeta e tij është në rrezik dhe pavarësisht e kërkesës për ndihmë nga vendi ku vjen nuk i grantohet jeta. Është një përkufizim shumë i qartë. Kriteret për t’u plotësuar janë që zoti Ahmetaj duhet të tregojë se jeta e tij është në rrezik dhe që qeveria e shtetit të tij nuk ka as mundësi e as dëshirë për ta mbrojtur jetën e tij.
Ligjet janë të barabartë të gjithë, por ajo që ndryshon është pasha e individit dhe mundësia e tij për t’i shpjeguar autoriteteve ku kërkon azil pse i rrezikohet jeta. Në këtë rast do thosha që është një ministër me mjaft peshë në qeverinë socialiste dhe ka shumë informacion mbi punën e qeverisë shqiptare dhe në një farë mënyrë është një informacion i dobishëm për sa i përket organeve ligjzbatuese për të arritur qëllimin e vënies përpara drejtësisë të atyre që kanë kryer veprimtari kriminale. Që të fitosh azil duhet të tregosh që jeta është në rrezik dhe nga kush ke frikë dhe pse”, tha avokati.
Kujtojmë se, Arben Ahmetaj vazhdon të jetë i zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Njeriu që prej disa ditësh është në qendër të vëmendjes mediatike dhe politike dhe që pritej të arrestohej nga SPAK dyshohet se është arratisur jashtë vendit. Është një arsye shumë e fortë që të bën të mendosh se Ahmetaj ka zgjedhur të largohet dhe të mos bëjë burg, njësoj si ish-kolegët e tij deputetë, Lefter Koka dhe Alqi Bllako, apo dhe Saimir Tahiri. Një burim i sigurt ka konfirmuar për gazetën “SOT” se Ahmetajn e kanë marrë shërbimet sekrete nën patronazh.
Ndryshe nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Ahmetaj u tregua më inteligjent dhe mori të gjitha dosjet e aferave në qeveri dhe u arratis. Në këto situata, në fshehtësi të plotë dhe pa zhurmë, shërbimet sekrete futen në lojë duke i marrë Ahmetajt çdo dokumentacion dhe çdo detaj tjetër kundër kryeministrit Edi Rama si i penduar i drejtësisë. Ish-ministri i Ramës nuk është i vetmi që e ka përdorur këtë skemë, pasi edhe pushtetarë të lartë në vende të tjera janë larguar me informacione të fuqishme në duar dhe i kanë përdorur për interesat e tyre në bashkëpunim me shërbimet sekrete, apo edhe agjenci të tjera ligjzbatuese. Sinjalet se Ahmetaj pritet të hapë “Kutinë e Pandorës” për të gjithë qeverinë socialiste i dha vetë ish-ministri socialist.