Përleshja e dhunshme në zonën e Hamallajve mes dy familjeve ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje episodet e ngjarjes brutale të familjes Rraja në Borizanë të Fushë-Krujës pak ditë më parë.
Advertisements
Përleshja e dhunshme në zonën e Hamallajve mes dy familjeve ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje episodet e ngjarjes brutale të familjes Rraja në Borizanë të FushëKrujës pak ditë më parë.
Advertisements
Shkopinj bejsbolli dhe armë zjarri janë përdorur në përplasjen mes dy familjeve për shkak të një rruge, por sipas të dhënave që vijnë nga vendi i ngjarjes, kërcënimet dhe dhuna janë ushtruar nga djemtë e familjes Nikolla.
Martin Nikolla u vu edhe në pranga, për shkak se njëri nga të dhunuarit denoncoi publikisht aktin e rëndë si dhe përdorimin e armës së zjarrit duke i kërcënuar se do t`i vriste. Policia shoqëroi të gjithë personat që ishin pjesë e konfliktit, ndërkohë që djalin me armë zjarri e vuri në pranga, ai rezulton të jetë pjesë e gardës së Republikës prej 7 vjetësh dhe po ashtu edhe shofer i kryeparlamentares, Lindita Nikolla.
Përplasja mes familjeve
Me shkopinj bejsbolli dhe armë, përfundoi sherri masiv për rrugën, midis dy familjeve në Hamallaj të Durrësit, ku 3 persona morën plagë të rënda. Ngjarja ndodhi paraditen kësaj të diele në lagjen e Hidrovorit mes familjes Nikolla dhe familjes Kaçi. Vëllezërit Nikolla kanë goditur me shkopinj bejsbolli e mjete të forta familjen Kaçi.
Në mesin e burrave të familjes Nikolla që dhunuan familjen Kaçi, ishte dhe Martin Nikolla, punonjës i Gardës dhe shoferi zëvendësues i kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla. Kjo e fundit ka dënuar aktin e rëndë dhe ka kërkuar që drejtësia ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen. Martin Nikolla, punonjës i Gardës, ka qëlluar me armën e shërbimit në ajër, por fatmirësisht nga të shtënat nuk është lënduar askush. Menjëherë, Ministria e Brendshme e ka përjashtuar nga Garda, ndërsa AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), e ka arrestuar për tre vepra penale, “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ka qenë Pjetër Kaçi, 80 vjeç, kryefamiljar i familjes Kaçi, i cili po kalonte në rrugën e lagjes kur Martin, Alfred, Petrit dhe Arben Nikolla i kanë zënë rrugën duke i thënë pse na sheh dhe pas këtij debati e kanë goditur të moshuarin. Më pas, duke parë konfliktin janë afruar djemtë e të moshuarit, Paulin, Kastriot dhe Sajmir Kaçi, dhe janë përfshirë në sherr me familjen Nikolla, anëtarët e së cilës i kanë goditur me shkopinj bejsbolli, armë zjarri e mjete të tjera të forta.
Shkak i sherrit janë konflikte të vazhdueshme për rrugën e lagjes të cilën banorët e kanë shtruar para 10 vitesh me lekët e tyre, si edhe disa rrethime të komshinjve që familja Nikolla kërkon t’i heqë pavarësisht se kanë nga 30 vjet që janë aty. Një nga të plagosurit tha se dy familje kanë rreth 6 muaj debate për shkak të rrugës së përbashkët dhe vëllezërit Nikolla i ofendojnë vazhdimisht.
“Çështja ka qenë në prokurori për këtë rrugë, se më kalon ngjit me shtëpinë. Duan se s’bën me bo rrugën këtu dhe bëjnë të fortin, mos me pas as majtas as djathtas, veç drejt sipas tyre. Janë dikush dhe kjo gjë ndodh këtu. Bëjmë katër a pesë muaj që kemi pas debate. Vetëm ne kemi si lagje, se vetëm ne jemi këtu afër. Sa herë të kalojnë në oborr të shtëpisë time, më ofendojnë babën, nënën, kunatën e të gjithë. Shteti e ka në dorë këtë gjë, se të shtijë një person në ajër me na vra, pesë gjashtë herë ka qëlluar. Ne kemi fëmijë, motra, kunata nëpër oborr të shtëpisë”, thotë Kaçi.
Duke iu referuar muajve të tërë në konflikt dhe mos gjetjen e një zgjidhje të prokuroria, dhe policia, Kaçi i kërkon ndihmë kryeministrit për shmangien e përshkallëzimit.
“I bëj thirrje Edi Ramës të merret me këtë çështje. Po përdorin armën e shtetit për të fortë. Skandal i gjallë. Kërkoj urdhër mbrojtje nga gjykata, ta zgjidhin këtë problem. Çdo herë vetëm konflikte me këta. Jo vetëm me ne, me xhaxhallarët, me halla, me të gjithë. Ne s’jemi të gjithë të këqij”, tha ai.
Si pasojë e dhunës me shkopinj bejsbolli janë plagosur 3 djemtë e familjes Kaçi, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit pasi ka pësuar fraktura të shumta. Ndërkohë, janë shoqëruar nga policia të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.
Arrestimi
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar gardistin Martin Nikolla, i cili u përfshi bashkë me të afërmit e tij në një sherr në Hamallaj me familjen Kaçi. Ai madje qëlloi me armë zjarri në ajër.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale ‘Kanosja’, ‘Plagosja e rëndë me dashje” dhe ‘Prishja e qetësisë publike’ punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor M. N., pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme. Veprimet procedurale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye ‘Arrestimi në flagrancë’ i shtetasit M. N., 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90″, njofton AMP-ja.
Nikolla: Të dënohet, pavarësisht pozicionit
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në Hamallaj, ku Martin Nikolla, me profesion gardist, si dhe shoferi zëvendësues i kryeparlamentares qëlloi me armën e shërbimit në ajër.
Nikolla dënon aktin e rëndë të gardistit e përshëndet Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.
“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme. Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot. Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shkruan Nikolla.
Një sherr masiv ndodhi në Hamallaj të Durrës, pas konfliktit për rrugën midis dy familjeve. Për pasojë tre persona u plagosën, kurse Ministria e Brendshme përjashtoi menjëherë gardistin Martin Nikolla, i cili qëlloi në ajër me armë. Policia ka shoqëruar të gjithë personat në konflikt.