Fshesa e madhe, Rama bëhet gati për “Rilindje 2.0”, “kokat që priten” në qeveri

by author

Kjo verë ka qenë e nxehtë nga temperaturat, por shumë më e nxehtë sa i përket zhvillimeve në aksin drejtësi-politikë, ku duket se shumë ministra, drejtorë dhe drejtues të tjerë të lartë në qeveri e administratë, po shohin se si u lëkundet karrigia.

Advertisements

Aktualisht, ka disa skandale që vijojnë dhe që për mbulimin e tyre janë duke u krijuar skandale të tjera, por duket se kjo nuk do të mbajë shumë se ujërat e zeza do të dalin një moment rrugëve, më keq se sa ndodh në Tiranë kur shpërthejnë pusetat pas shirave të rrëmbyeshëm.

Advertisements

Gjithçka pritet të mësohet në Asamblenë e PS-së më datë 4 shtator, e cila nuk do të jetë si të mëparshmet, pasi zullumi ka kapur majat me këtë qeveri dhe administratë, e Rama e percepton mirë këtë.

Jo më kot, shpesh i ka paralajmëruar të vetët se i ka marrë aty për të shërbyer dhe jo për të vjedhur dhe kush kapet, do të përballet vetë me drejtësinë. Sigurisht, asgjë nuk ndodh pa “iznin” e të madhit, ose frymën që ai përcjell, megjithatë Kryeministri ka rastin që t’u thotë shqiptarëve se “çfarë ka ndodhur deri më tani, nuk e keni prej meje”.

I gjithë “operacioni fshesa” pritet të konsiderohet si një Rilindje 2.0 nga Rama, gjë e cila nuk do të jenë thjesht ndryshime në qeveri, por rithemelim i konceptit të qeverisjes nga kryeminsitri, me ide të reja dhe emra të rinj të papërlyer.

Kështu, Rama do të tentojë të veshë një kostum të ri para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në shtator duke u ofruar atyre një alternativë me njerëz të tjerë, por sërish me atë në krye.

Komunikimet në SKY

Edhe pse tentohet të minimizohet, skandali i komunikimeve SKY duket të jetë ai që do të shkundë qeverinë dhe administratën pasi raportohet se janë 12 mijë përdorues vetëm brenda Shqipërisë, ku një pjesë e mirë e tyre janë politikanë, prokurorë, gjykatës, policë dhe funksionarë të lartë të administratës.

Bisedat janë zbardhur tashmë dhe nuk janë në dorë të policisë, por të SPAK dhe institucioneve të hetimit ndërkombëtare dhe nuk ka se si të pengohet nxjerrja e tyre.

SKY pritet të djegë shumë politikanë, policë me grada, prokurorë, gjykatës por edhe biznesmenë. Sa i përket “lagjes” së tij, Rama duket se nuk do t’i lerë gjërat të rrjedhin vetë, por do të marrë masat duke e pastruar administratën prej këtyre personazheve, përfshi edhe ministra.

Hetimet e SPAK

Një tjetër ngjarje e rendësishme janë edhe hetimet e SPAK, në disa ministri dhe koncensione të rendësishme. Hetimi i tenderëve të armatimit të ushtrisë si edhe pronat e ushtrisë të dhëna te oligarkët, do të jenë një dhimbje e madhe koke te Ministria e Mbrojtjes.

Ministrja Olta Xhaçka ka shkuar më shpesh në SPAK se shumë kriminelë të tjerë me damkë, ç’ka konfirmon se uji po nxehet dhe Rama zakonisht nuk i mban mbi shpinë kosto të tilla, sidomos kur zbulohet se “kanë ngrënë dardha” pas shpinës së tij. Një fakt tjetër është se Olta Xhaçka është e vetmja ministre Investitore Strategjike në qeveri.

Non gratat

Ashtu siç ka paralajmëruar i deleguari i SHBA-ve në rajon Gabriel Escobar, Amerika do të publikojë emra të tjera “non grata” gjatë javëve në vijim, të cilet pritet të jenë politikanë dhe biznesmenë. Rama nuk do të ndërmarrë asnjë risk në këtë drejtim dhe do të pastrohet vetë para se ta pastrojnë amerikanët.

KUSH IKËN

Sigurisht, pritshmëria më e madhe është për emrat e ministrave që ikin dhe vijnë. Me gjasë, ata që do të vijnë nuk e dinë as vetë, përveç Ramës, por sa i përket atyre që do të ikin, lista nuk është dhe aq e shkurtër:

Ulsi Manja

Ulsi Manja, një ndër emrat e preferuar të Ramës, pritet të jetë një ndër emrat e parë që do të ndryshohet në qeveri. Manja ka qenë i besuari i Ramës në krye të Ministrisë së Drejtësisë, por në korridoret e ministrisë thuhet se ministri ka qenë i pakujdesshëm në disa SMS që ka shkëmbyer duke menduar se bisedat nuk do të dilnin kurrë.

Delina Ibrahimaj

Koka tjetër që “pritet” do të jetë Delina Ibrahimaj, e cila u shkarkuar njëherë në fakt nga Rama, por për arsye ende të paqarta vijoi punën në qeveri, të paktën edhe për disa javë. Ibrahimaj u shkarkua pas një sherri gjatë mbledhjes së kabinetit, por më pas edhe ajo edhe Rama dolën në publik dhe mohuan një lajm të tillë.

Duket se kryeministri nuk është nxituar në shkarkimin e saj duke pritur vjeshtën për t’ja përfshirë emrin në listën e ministrave të tjerë që ikin në kuadër të një riformatimi të qeverisë. Ibrahimaj në fakt nuk qenë ndonjëherë ministre më shumë se sa një investim i grupeve të fuqishme të biznesit në vend.

Olta Xhaçka

Xhaçka është një ndër bashkëudhëtaret e vjetra të Ramës, madje kryeministri e shpalli dhe Investitore Strategjike, por rrugëtimit të saj i erdhi fundi.

Xhaçka është e vetmja ministre investitorë strategjike, të paktën me letra, në kabinetin Rama, ndërsa afera që po e merr më qafë është koncensioni i Portit të Limionit ndaj një kompanie private, e cila tashmë është sekuestruar nga SPAK dhe po hetohet prej prokurorëve që këto ditë po trembin shumë “të fuqishëm” në Tiranë, shkruan AlbEu.com.

Deri më tani Xhaçka është paraqitur disa herë në SPAK për të dhënë llogari për një vendim që e la vendin pa një bazë detare kur ajo ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Frida Krifca

Pavarësisht se tashmë ajo ka nisur një fushatë agresive në rrjetet sociale me investime të fermerëve të bëra sipas saj me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë duke arritur statistika të larta në Facebook, një kriter thelbësor ky për të ruajtur postin e ministrit, Krifcën nuk e kap tetori në krye të punëve.

Nëse largimet nga qeveria do të ishin çështje bastesh, është e sigurt se largimi i Krifcës do të kishte koeficientin më të ulët, ndoshta 1.20.

Anulimi i fondeve IPARD nga KE dhe zbulimi se nga fondet kanë përfituar trafikantë droge apo personazhe pranë maxhorancës si edhe konfirmimi se fondet janë dhënë përmes procedurave korruptive janë një shkak i mjaftueshëm për ta hequr Krifcën nga Ministria e Bujqësisë. Kujtojmë se KE ka kërkuar paratë e IPARD mbrapsht nga Maqedonia kur u hasën shpërdorime, kurse në Bullgari dje u arrestua një kryebashkiak.

Rama ka treguar deri më tani se ministrat mund të abuzojnë me pushtetin, por mbajnë përgjegjësi pastaj nëse kapen.

Bora Muzhaqi

Nuk është kuptuar ndonjëherë se çfarë bën Bora Muzhaqi në krye të ministrisë dhe çfarë bën në fakt ministria që ajo drejton, por politikania e re do të mbahet mend në publik për gafat e shumta që ka lënë. E kush nuk i mban mend deklaratat se nuk kishte kohë të fliste kur mediat e pyesnin mbi një krim makabër ndaj një fëmijë në Fier apo se do t’u mësonte fëmijëve në klasë të parë kodimin para abetares?

Ramës nuk i duhen më fytyrat e reja dhe investimet e të tjerëve në qeveri, tashmë që rripi po shtrëngohet dhe përgjegjësinë do ta mbajë ai vetë.

Edona Bilali

Bilali ka qenë në qendër të një skandali me shpërndarjen e fondeve për START UP-et duke ia shpërndarë njerëzve pranë saj. Tashmë që situata politike ka ndryshuar në Shkodër, kurse investitori i saj politik pritet të ketë probleme me drejtësinë, Edona Bilali është një emër që nuk i duhet më Ramës në kabinet. /albeu.com

TË NGJASHME