Zbulohet skema si po “rripen” shqiptarët: Bizneset po importojnë më lirë, por çmimet vetëm rriten

by author

Çmimet e mallrave të importit sidomos produkteve ushqimore kanë rënë ndjeshëm gjatë vitit 2023 në raport në me një vit më parë, por kjo nuk është reflektuar në tregun e brendshëm, përkundrazi çmimet janë rritur më tej.

Advertisements

Të dhënat e tregtisë së jashtme të përpunuara nga Monitor tregojnë se në periudhën janar-korrik të vitit 2023, çmimet për njësi të importeve të ushqimeve kanë shënuar rënie vjetore mesatarisht me 9 për qind dhe për karburantet mbi 40%. (Kalkulimet u bënë duke përllogaritur vlerën e një kilogrami mall të importuar në 7 mujorin e parë 2023 dhe në të njëjtën periudhë 2022, më të dhënat e INSTAT të tregtisë me jashtë).

Advertisements

Çmimet e importit janë përbërësi kryesor i çmimeve në vendin sidomos ushqimeve, pasi importet e tyre vijuan të jenë tre herë më të larta se eksportet edhe këtë vit.

Përllogaritjet tregojnë se rënien më të madhe në artikujt e konsumit masiv e kishin karburantet. Një litër karburant i importuar ka kushtuar në janar-korrik te këtij viti 43 për qind më lirë se e njëjta periudhë e vitit 2022.

Por duke parë ecurinë e inflacionit për këtë produkt shihet se rënia e çmimeve të importit nuk është reflektuar në tregtinë me pakicë.

Të dhënat nga INSTAT mbi inflacionin treguan se në 7- mujor shërbimet e transportit shënuan rënie vjetore të çmimeve me vetëm 3.5%.

Për disa produkte ushqimorë të shportës rënia e çmimeve të importit ishte shumë e lartë, teksa në tregoi i brendshëm reagoi me rritje të çmimit.

Për shembull një kilogram vaj nga importi ka kushtuar 33 për qind më lirë se 7 mujori 2022, por të dhënat nga inflacioni tregojnë se çmimi i vajit u rrit mesatarisht me 6 për qind në të njëjtën periudhë.

Vlera e drithërave të importuara ranë me 24% në 7 -mujorin e parë, por çmimet në tregun e brendshëm u rriten me 10 për qind në këtë grup.

Çmimet e importit, bulmetit dhe vezëve shënuan rënie vjetore me 12.2% në periudhën referuese, por çmimet në tregun e brendshëm u rriten 22.6% për këtë grup. Çmimet e zarzavateve të importuara ranë me 10%, ndërsa në tregun e brendshëm çmimet këtë grup u rriten me 17 %.

Çmimet e importit në grupin e ushqimeve u rriten vetëm për sheqerin me 12%, duhanin 10.6%, kafshët e gjalla me 4.2 për qind, për të cilat janë përcjellë në tregun e brendshëm.

Importet e sheqerit kanë rënë me mbi 30 % këtë vit si rrjedhojë e emigrimit te të rinjve, por çmimet në tregjet e pakicës ishin gati 10% më të larta.

Rënia e çmimeve të importit këtë vit u ndikua nga dy faktorë themelorë nënçmimi i euros dhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në 7 -mujorin 2023 euro u nënçmua me 8.3% në këmbim me lekun.

Kursi mesatar për 7 mujorin 2022 ishte 120 lekë për një euro dhe për të njëjtën periudhë në 2023 ishte 110 lekë.

Importuesit kanë fituar nga kursi i këmbimit, pasi me të njëjtën sasi parash kanë blerë më shumë valutë për të importuar produktet, që nga kahu tjetër kanë qenë më të lira si rrjedhojë edhe e rënies së inflacionit në Eurozonë, që zbriti në 5.3% në korrik 2023, nga 8.9% në korrik të një viti më parë, sipas Eurostat.

Kjo tendence është reflektuar edhe te ardhurat buxhetore, kur të ardhurat nga tatimi mbi fitimin pësuan rritje vjetore gjatë janar- gusht 2023 me 36.2% si dhe 9.4 miliardë lekë ose 30% më shumë se plani i 8 mujorit të vitit 2023.

Analiza më të thelluara kanë treguar se përgjithësisht në Rajonin e Ballkanit ku bën pjesë edhe Shqipëria, çmimet zakonisht rriten më shumë se në tregjet ndërkombëtare, por nuk bien me pas.

Në një studim të posaçëm për inflacionin në Ballkanin Perëndimor këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar vëzhgoi se në Ballkan vihet re një përçim më i lartë i çmimeve të ushqimeve nga tregjet ndërkombëtare në tregjet e brendshme për shkak të peshës së lartë të importeve.

Kategoria kryesore e ushqimeve të shportës, si drithërat, vajrat vegjetale pësuan goditje të menjëhershme nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, duke u rritur mesatarisht me 9.4% në Ballkan, ndërsa në BE u rriten me vetëm 3.2% gjatë 2022.

Por gjithashtu çmimet nga tregjet ndërkombëtare përçohen në nivele më të larta se ndryshimet reale, sipas krahasimeve të Fondit dhe më pas uljet nuk reflektohen./Monitor

TË NGJASHME