Ja “dhurata” e fundit që mori Samir Mane me firmën e Arben Ahmetajt, detajet nga darka e fshehtë e ministrave dhe oligarkut te “Nusreti” në Dubai, si u fshi me shpejtësi videoja nga restoranti pak minuta pas publikimit dhe mbrojtja që i bëri Rama

by author

Në vendet perëndimore listën e më të pasurve e kryesojnë ata biznesmenë që investojnë në teknologji dhe në prodhim, duke i dhënë frymë rritjes së ekonomisë dhe punësimit, por në Shqipëri ky fenomen i kapitalizmit nuk ekziston, pasi pasanikët më të mëdhenj janë ata përfitojnë lehtësira klienteliste nga shteti e politika. Një ndër ta është dhe oligarku Samir Mane, i cili sipas shifrave zyrtare është biznesmeni më i pasur i Shqipërisë.

Advertisements

Ai ka përfituar si nga qeveria Berisha kur ishte në pushtet, tashmë dhe nga kryeministri Rama ligje të posaçme siç është ai i “Investitorëve Strategjikë”. Një fakt tjetër që ka dalë së fundmi nga gazetarja Aida Topalli është se kompanitë e biznesmenit më të njohur dhe më të madh në Shqipëri shfaqen disa herë në momente kyçe në dosjen e SPAK të ish-ministrit socialist Arben Ahmetaj. Por ndryshe nga biznesmenët e tjerë si Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Sokol Meqemeja, Sonila Goxhaj, Besmir Prifti, Gerian Kuke, Agim Zeqo, Mond Bego, Arenc Myrtezani, Andi Boni, Helidon Begaj, Eduart Manushi etj., të cilët evidentohen nga SPAK për rolin e gjithë secilit, biznesmeni Mane është shmangur nga dosja.

Advertisements

“Dhurata” e fundit që mori Samir Mane me firmën e Ahmetajt

Kjo është një ndër provat që tregon lidhjet e forta të biznesmenit me politikën dhe kryesisht me Ahmetajn. Nga kërkimet që ka bërë gazeta “SOT”, “dhuratat” nga qeveria për oligarkun nuk ndalen. Një vendim që mban firmën Arben Ahmetajt, i cili tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kohën kur ka qenë zv.kryeministër vendosi t’i japë “OK” një tjetër ndërtimi nga shoqëria ‘Green Coast’ e Samir Manes në bashkëpunim me “AÇOR SERVICES POLAND SP ZOO”. Bëhet me dije se tre pasuri në një nga perlat e rivierës së Jugut të Shqipërisë, Palasë të Vlorës janë kaluar në pronësi të shoqërisë private. Tre pasuritë janë përkatësisht me sipërfaqe 5532 m2, 2649 m2 dhe 593 m2 që do të shërbejnë për ndërtimin e një tjetër hoteli, bashkëpunim mes dy kompanive private.

Zbardhet vendimi i plotë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim, të pikës 7, të vendimit nr.807, datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të kushteve për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, në funksion të planeve të përgjithshme vendore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave. V E N D O S I: 1. Miratimin e kalimit të pasurive nr.68/121/1, nr.68/137/2 dhe nr.5212/7/1, me sipërfaqe, përkatësisht, 5532 m2, 2649 m2 dhe 593 m2, të ndodhura në Palasë, Himarë, zona kadastrale 1739, nga pronë shtetërore, në pronë private, për shoqërinë “Green Coast”, sh.p.k., në funksion të planit të përgjithshëm vendor, sipas planrilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, me kushtin e realizimit të projektit si dhe të marrëveshjes Franchise, të lidhur midis palëve “Green Coast”, sh.p.k., dhe “AÇOR SERVICES POLAND SP ZOO”. 2. Miratimin e projektkontratës, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si shitës, dhe shoqërisë “Green Coast”, sh.p.k., si blerës, për pasuritë shtetërore nr.68/121/1 me sipërfaqe 5532 m2, nr.68/137/2 me sipërfaqe 2649 m2, dhe nr.5212/7/1, me sipërfaqe 593 m2, të cilat ndodhen në Palasë, Himarë, zona kadastrale 1739, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Detajet nga darka e fshehtë e ministrave dhe oligarkut në “Nusret”

Edhe pse kjo ishte “dhurata” e fundit me firmën e Arben Ahmetajt për Samir Manen nuk dihet se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, pasi lidhjet e tij me ish-ministrin socialist janë shfaqur edhe kohë më parë. Në një takim zyrtar në vitin 2021 një delegacion prej 18 personash nga qeveria shqiptare dhe Bashkia Tiranë zgjodhën destinacionin e Dubait, vendin më të sigurt për bosët e krimit me idenë e një takimi zyrtar. Por, çfarë fshihej pas mbledhjes? Ish-ministri Arben Ahmetaj, Arbjan Maznikun, Belinda Ballukun, Endri Fuga dhe shoqëruesit e tyre me miliarderin Samir Mane, u shfaqën në restorantin e njohur në të gjithë botën “Nusret” në Dubai. Në atë kohë kjo darkë shkaktoi shumë takime të forta për faktin se në një kohë që vendi ndodhej në një situatë të vështirë të shkaktuar jo vetëm nga pandemia dhe tërmeti i 26 nëntorit 2019, por edhe përmbytjet.

Si u realizua darka?

Sipas Ramës, vartësit e tij ministra ose jo, nuk kishin shkuar për qejf por për punë. Një variant që nisi të qarkullojë në atë kohë në formën e justifikimit në Tiranë ishte se darkën e kishte organizuar biznesmeni Samir Mane. Nuk dihet nëse biznesmeni ishte rastësisht në Dubai, apo shoqëron ministrat, nënkryebashkiakun dhe këshilltarin e Ramës, në misionin e tyre të punës. Një tjetër variant ishte se darka ishte e organizuar nga pronari i qiell gërvishtëses “Burj Khalifa”, Mohamend Alabbar, i cili do të investojë edhe në Shqipëri, të paktën sipas deklaratave të Edi Ramës, pas vizitës që zhvilloi në Dubai. Dhe sipas këtij variant, Alabbar kishte ftuar në darkë Samir Manen, miliarderin shqiptar dhe biznesmenin e lidhur ngushtë me disa nga qeveritë, i cili më pas kishte bërë bashkë edhe ministrat dhe njerëzit e afërt të Edi Ramës, që ndodhen për punë në Dubai. Nuk dihet nëse faturën e darkës luksoze e ka paguar biznesmeni nga Dubai, apo Mane, por nga video që qarkullon në rrjet duket se biznesmeni shqiptar është kapur pak i papërgatitur teksa filmohet në tavolinën kur Arben Ahmetaj, dukej dhe shfaqej si më i ekzaltuari.

Si u zhduk me sekonda videoja?

Restoranti luksoz i Nusretit e hoqi nga profili zyrtar në Intagram, pamjet ku darkonin biznesmeni Samir Mane dhe dy ministrat Arben Ahmetaj e Belinda Balluku, me eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste. Videoja u pikas nga shqiptarët dhe bëri xhiron e rrjetit, pasi faqja e publikoi në “Instastory”, megjithatë vetëm për pak është fshirë me urgjencë nga profili zyrtar. Kërkesë që është bërë me vonesë, pasi gjithsesi videoja ka marrë ‘dhenë’. Nga videoja duket se mendjen e ka pasur vetëm biznesmeni që në një çast ka hedhur sytë nga kamera, të ketë pikasur ai vallë që i kishin filmuar? Kush t’ia ketë kërkuar vallë pronarit të restorantit që të heqin videon nga faqja e tyre zyrtare? Ka ndodhur me mirëkuptim apo është zgjedhur ndonjë mënyrë tjetër? Restoranti në fjalë konsiderohet nga më luksozët dhe referuar menusë së publikuar, jo asaj që mund të kenë porositur të pranishmit në darkë, çmimet janë mjaft të kripura. Një pjatë kushton 4 herë më shumë se pensioni mesatar apo sa një pagë mujore mesatare në Shqipëri.

TË NGJASHME