Të akuzuar edhe për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, Gjykata e Durrësit lë në qeli dy shoferët e autobusit ku u gjetën të fshehura para, fishekë dhe alkool.
Advertisements
Prokuroria e Durrësit ka ngritur katër akuza për dy shoferët e arrestuar të autobusit, ku u gjetën dhe sekuestruan rreth 177 mijë euro të padeklaruara, fishekë çifteje, verë dhe pije alkoolike, si dhe mallra të tjera.
Advertisements
Të gjitha ishin fshehur në një autobus që vinte nga Italia me një nga tragetet e linjës së Barit në portin e Durrësit. Gjyqtari i seancës Markelian Koça pasi dëgjoi palët e paraqitura në seancën gjyqësore, këtë të martë, pranoi kërkesën e prokurorit duke vleftësuar të ligjshëm arrestin dhe caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj shtetasve Adrian Bello dhe Algert Atia.
Dy shoferët që u arrestuan në fundjavë nga policia kufitare, janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, “kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Algert Atia, 34 vjeç, banues në Berat, dhe Adrian Bello 51 vjeç, banues në Elbasan, duhet të qëndrojnë në paraburgim, sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, ndërsa do të vijojnë hetimet për të dokumentuar ligjërisht akuzat e ngritura ndaj të dyve. Arrestimi i tyre qe i pesti në radhë në kuadër të një operacioni policor të koduar “Fluksi”, gjatë të cilit policia ka gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, kryesisht euro, të padeklaruara në kufi pranë autoriteteve, dhe të fshehura në autobusët e udhëtarëve që bëjnë linjat mes Shqipërisë dhe Italisë.