SKANDALOZE! Nga fyerja publike, tek mbrojtja në rrjet/ Kush është djali i pronarit të TV në Vlorë që kërcënoi gazetaren

by author

Gazetarë të tjerë profesionistë kanë dënuar sulmin e rëndë për shkak të profesionit kundrejt koleges së tyre vlonjate, Afrovita Hysaj

Advertisements

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik pak ditë më parë, kur u bë i njohur rasti i abuzimit seksual ndaj një 26-vjeçare nga 3 djem në qytetin e Vlorës.Siç mediat raportojnë, pas përdhunimit të 26-vjeçares, personat e identifikuar si Oltjan Tahiri, Albi Ceno dhe Gentjano Mehmeti janë larguar duke e lënë vajzën pa ndjenja në ambientet e një hoteli në Vlorë.

Advertisements

Lidhur me këtë gazetarja Afrovita Hysaj, referuar burimeve të saj, zbuloi se në ngjarje kishin qenë 4 persona dhe jo 3 që kishin marrë pjesë.

Njëri prej tyre, i identifikuar si Klevis Deliaj është i biri i një pronari televizioni lokal në qytetin e Vlorës. Pas denoncimit, gazetarja Hysaj u sulmua nga televizioni vlonjat, konkretisht nga babai, njëherësh dhe pronari i televizionit. Ky i fundit e ka kërcënuar hapur gazetaren Afrovita Hysaj duke i dërguar një mesazh në telefonin e saj.
“Je në gjak me mua”– i ka shkruar ai privatisht Hysajt.

Duke mos u mjaftuar me këtë kërcënim dërguar në telefonin e gazetares, pronari i televizionit lokal në Vlorë, A. D. në median e tij ka bërë një shkrim denigrues dhe linçues duke përdorur një fjalor ofendues dhe aspak të përshtatshëm për një gazetare profesioniste, e cila bëri vetëm punën e saj.

Kaq ka mjaftuar që ngjarja të bëjë bujë në rrjet ku gazetarë të tjerë profesionistë kanë dënuar sulmin e rëndë për shkak të detyrës kundrejt koleges së tyre vlonjate.

Referuar gjithë kësaj situate, një qëndrim zyrtar e ka patur edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Këta të fundit kërkuan të fshihet shkrimi denigrues dhe të kërkohet falje ndaj gazetares Afrovita Hysaj.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

“Precedent i rëndë i kanalit 6+1 Vlora me emrin dhe imazhin e një gazetareje

Tiranë më 24 Tetor 2023

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tronditur nga publikimi i një raporti faqen e kanalit 6+1 Vlora me titull: ” …” Afrovita Hysaj mashtron qytetarët e Vlorës”, i publikuar në datën 24 Tetor 2023, nga media vendore në onlinin e kësaj medieje.

Ky raport, përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një gazetareje vendore.

Rasti në fjalë ka tronditur gjithë opinionin profesional dhe ka hapur diskutime të shumta mes entitetit tonë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një akt të rëndë.

Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë që editori i kësaj medieje, administratori i tij, në mënyrë urgjente të tërheqë nga publikimi dhe faqet zyrtare të medias, këtë raport.

Në përputhje me kodet e etikës dhe rregullat e gazetarisë, të reflektojë menjëherë, pasi ky material në tekstin e vet përmban edhe vlerë antiligjore. Kërkesa jonë bazohet në respekt dhe mishërim të parimeve dhe normave të një gazetarie, si mision publik, në shërbim të publikut dhe jo si një “mjet privat që mund të presë dhe lëndojë qytetarë, e aq më tepër, persona të medias.

Ky rast meriton ndërhyrjen e menjëhershme të organizatave që merren me mbrojtjen e etikës, parimeve dhe normave të komunikimit publik dhe aq më tepër të raportimit me standart.

Në mënyrën më urgjente i kërkojmë kësaj medieje të reagojë dhe të kërkojë ndjesë publike për rastin që shkaktoi.”- shkruan Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në kanalet e tij zyrtar në rrjetet sociale.

Në kuadër të këtij kërcënimi për shkak të detyrës ndaj një gazetareje grua, policia e Vlorës pas kallëzimit të Hysajt ka proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Kanosja”, A. D.

Njoftimi zyrtar i policisë:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, shtetasi A. D., 57 vjeç, banues në Vlorë pasi:

Shtetasja A. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion gazetare, ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, nga ky shtetas, për shkak të një lajmi që ajo ka publikuar, lidhur me rastin e 26-vjeçares nga qyteti i Vlorës, e cila dyshohet se është nxitur të përdorte lëndë narkotike nga disa shtetas, 3 prej të cilëve më pas dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu në vijim të njoftimit të dhënë më datë 22.10.2023, për vënien në pranga të 2 personave dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 26-vjeçaren, të cilën paraprakisht e kanë nxitur të përdorë lëndë narkotike, policia sqarojmë se:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar hetimet e thelluara për këtë rast.

Në vijim, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”, edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë, dhe vijon puna për kapjen e tij.

Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit O. T., A. C. dhe G. M., për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike”.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”- shkruan policia e Vlorës.

Pas reagimeve të shumta në rrjet por edhe qëndrimeve zyrtare që kanë mbajtur blutë e Vlorës dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, media lokale në Vlorë është detyruar të fshij shkrimin ofendues kundrejt gazetares Afrovita Hysaj.

Në kërkimin që Gazeta Shqip bëri në profilin e tyre zyrtar në ‘Facebook’, në këtë media shkrimi kërcënues dhe linçues nuk gjendet më.

Nuk dihet nëse pronarët e medias lokale në Vlorë i kanë kërkuar falje gazetares Afrovita Hysaj, por e gjithë kjo ngjarje reflekton dukshëm ambientin dhe realitetin që gazetarët profesionistë, aq më pak gazetaret femra duhet të përballen në terren gjatë punës së tyre.

TË NGJASHME