Vendi yne po vuan gjithnje e me shume fenomenin e shpopullimit. 31,807 banorë më pak dhe 6 muaj më të plakur. Ky është bilanci demografik i vetëm një viti, teksa INSTAT ka publikuar të dhënat zyrtare për popullsinë e vendit më 1 Janar 2023.
Advertisements
Tkurrja është më e vogël se sa një vit më parë, kur pandemia e Covid-19 bëri që për herë të parë vendi të regjistronte më shumë vdekje se sa lindje. Megjithatë shifrat janë alarmuese, të krahasueshme me një bashki në madhësinë e Bulqizës, Divjakës apo Librazhdit.
Advertisements
Emigracioni është faktori kryesor në këtë tkurrje të popullsisë, teksa 46,460 shqiptarë, u larguan nga vendi, numri më i lartë që prej vitit 2014. Ndërsa shifrat e të rikthyerve janë shumë më të ulëta se para se vendi të goditej një pas një nga tërmeti, pandemia dhe kriza e çmimeve.
Ndër grupet kryesore të të larguarve regjistrohen djemtë e rinj, kryesisht 2 në 3 emigrantë. Kjo shihet së pari tek mosha mesatare, e rritur në 38.8 vjeç nga 38.2 vetëm një vit më parë. Ndërsa sot vendi ka 2 meshkuj më pak, për çdo 100 femra.
Kombinuar me rënien e lindshmërisë, popullsia zbriti me 1.1%, më e fortë tkurrja në Gjirokastër, Berat dhe Dibër. Ndërsa situata ka ngadalësuar ndjeshëm edhe zgjerimin e kryeqytetit, që regjistroi vetëm 5,757 banorë më shumë, duke e bërë Tiranën qarkun e vetëm në rritje.
Të dhënat e INSTAT për popullsinë u publikuan me vonesë, ndërsa institucioni kërkon mirëkuptim për shkak të ngarkesës në përgatitjen e Censit të Popullsisë dhe Banesave. Regjistrimi që nis në shtator, do të prodhojë të dhëna të sakta për shpopullimin, krahasuar me vitin 2011, kur ishte edhe censi i fundit.