Arben Ahmetaj drejt burgut? Në dosje edhe Alda Klosi, koncesioni i Fierit u nënshkrua pas komunikimit me…

by author

Zbardhen detaje të reja nga kërkesa që SPAK i dërgoi dje Kuvendit për të marrë autorizim për të arrestuar deputetin Arben Ahmetaj si edhe për ushtrimin e kontrollit në banesën e këtij të fundit.

Advertisements

Në dosje është përfshirë edhe emri i Alda Klosit. Alda Klosi ish zyrtare e Ministrisë së Financave ndodhet e arrestuar që prej 3 shkurtit 2023.
Arrestimi u krye pas dëshmisë së dytë të dhënë në polici nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila pranoi se edhe shuma tjetër e parave mbi 400 mijë euro që u gjet në banesën e e Alda Klosit.

Advertisements

Në dosje thuhet se me shkresën e 27 qershorit 2016 Arben Ahmetaj atëherë ministër i Financave është shprehur se janë përmbushur në tërësi kriteret e përcaktuara nga VKM në lidhje me vijimin e procedurave të koncensionit, në rastin e projektit koncensionar të Fierit miratim ky i ardhur pas pengesës që po i bëhej kësaj procedure nga ana e paraardhësit të tij, ish Ministrit të Financave Shkëlqim Canit.

Në dosje thuhet se shkresa është nënshkruar vetëm pas komunikimeve që janë shkëmbyer ndermjet shtetasve Alda Klosi atëherë funksionare e Ministrisë së Financave, Alba Thoma, Gentian Opre funksionar i Ministrisë së Financave), Etleva Kondi, Alqi Bllako, Gelardina Prodani funksionare e Ministrisë së Financave), Mimoza Dhëmbi funksionare e Ministrisë së Financave), emaile këto që më pas përcilleshin nga shtetësja Alba Thoma tek shtetasi Klodian Zoto dhe ky i fundit tek shtetësja Etleva Kondi.

Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri (SPAK) ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit të Financave dhe deputetit aktual të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.

Kërkesa mban datën 7 korrik dhe nënshkrimin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. SPAK thekson se kërkon autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë, për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit.
Arben Ahmetaj akuzohet për “Mosdeklarim apo fshehje të pasurive”, “Korrupsion pasiv” si dhe “Pastrim parash”.

Hetimet ndaj Arben Ahmetajt nisën në vitin 2022 dhe Prokuroria e Posaçme thekson se “vazhdon hetimi në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar”.

Ahmetaj akuzohet për procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Në vitin 2015 qeveria akordoi një kontratë për ndërtimin e këtij incineratori me procedurë emergjente. Djegësit masivë të mbeturinave, në Shqipëri njihen si inceneratorë.

Shkresa e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani për Kuvendin e Shqipërisë thekson nevojën “për të ruajtur sekretin hetimor” dhe kërkon që procedura e shqyrtimit të dokumenteve nga Këshilli i Mandateve të bëhet pa praninë e publikut për shkak se, “hetimet vijojnë për persona dhe fakte të tjera”.
Pas kësaj kërkese pritet mbledhja e Këshilli të Mandateve të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas rregullores së Kuvendit, kryetarja e institucionit, Lindita Nikolla, vë në dijeni Këshillin e Mandateve dhe Rregullores të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK.

Brenda 2 javësh duhet të hartohet një raport që do të kalohet në kuvend. Raporti do të hidhet në votim dhe do të vendoset nëse do të pranohet apo jo dhënia e autorizimit për kërkesën e SPAK. Votimi në Kuvend bëhet i hapur./albeu.com/

TË NGJASHME