Atentati ndaj Gentjan Bejtjas/ Vrasësit vunë nderin në vend, zbulohet veprimi që bënë direkt pas krimit

by author

Sulmi me armë ndaj familjes së Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës, është një hakmarrje e kërkuar në mënyrë të pandërprerë, ndaj njeriut që tashmë është shpallur në kërkim policor. Sipas anëtarëve të grupit të hetimit, duket se vrasësit pas kryerjes së krimit, kanë shfaqur entuziazëm, gëzim dhe euforizëm.

Advertisements

Pasi në ikje e sipër njëri prej tyre ka qëlluar një breshëri kallashnikovi në ajër dhe të gjithë së bashku kanë hipur në makinë duke u larguar në drejtim të Tapizës. Ky është një veprim, thonë anëtarët e grupit hetimor që tregon se vrasësit pas kryerjes së krimit, janë ndjerë të gëzuar pasi kanë vënë nderin në vend, duke u hakmarrë. Sipas policisë autorët e krimit kanë qenë katër persona, tre të armatosur dhe 1 shofer.

Advertisements

Ata besohet se janë banorë të zonës së Fushë-Krujës, pasi ishin përgatitur në kohë reale për mbërritjen një ditë më parë të Gentjan Bejtjas në Vilën e tij në Larushk. Qitësit janë përgatitur për të eliminuar Gentjan Bejtjan, por ky i fundit i shpëtoi vrasjes për herë të tretë, duke u larguar nga makina, vetëm pak minuta pasi mjeti u mitrajlua me 28 plumba.

Fatkeqësisht i vdekur në vend mbeti kunati i tij, Ramazan Sino, dhe të plagosur dy djemtë e vegjël të Bejtjas.

Sino prej disa vite punonte si shofer dhe ftues pranë prokurorisë së Apelit, duke mbajtur korrespodencë dosjesh mes gjykatës dhe prokurorisë. Policia dhe prokuroria e Tiranës, besojnë se vrasësit janë në zonën e krimit, ndërsa emra të njohur të botës kriminale janë shoqëruar dhe pyetur në polici.

Të vetmet pamje filmike që tregojnë momentin e krimit, janë ato të sekuestruara në banesën e Gentjan Bejtjas. Por këto filmime nuk ndihmojnë për identifikimin e vrasësve, për shkak të errësirës së natës. Ndërsa i vetmi dëshmitar i këtij sulmi me armë, është kushëriri i Gentjan Bejtjas, i cili ka treguar se ka dëgjuar krismat dhe ka dalë menjëherë në ballkon të shikonte çfarë ndodhi.

“…Me të dëgjuar krismat, dola të shikoja nga kati i dytë i banesës sime, që është ngjitur me atë të Gentjan Bejtjas, të cilin e kam kushëri, se çfarë kishte ndodhur. Në atë moment, unë pashë tre persona të largoheshin me vrap, por nuk munda të njihja asnjërin prej tyre. Arrita të dalloj që një prej atentatorëve i priti në makinë. Me t’u afruar te makina, ata qëlluan sërish me breshëri, këtë herë në ajër dhe u larguan me shpejtësi…” -ka pohuar në polici dëshmitari. Ndërkohë për ngjarjen në fjalë policia ende nuk ka lokalizuar dhe gjetur, Gentjan Bejtjan, i cili tashmë është shpallur në kërkim policor./Ora

TË NGJASHME