Çmimet e frikshme/ Shqiptarët po paguajnë më shumë para për të blerë më pak naftë se një vit më parë

by author

Shqiptarët po paguajnë më shumë para për të blerë më pak naftë. Në nëntë muajt e parë të këtij viti, konsumi i karburantit është ulur me 9.2%, por shoferët kanë paguar plot 26% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2021.

Advertisements

Ky 26% i përkthyer në para konsiston me rreth 190 milionë euro më shumë se një vit më parë, kur konsumonim më shumë karburant, por sërish nuk e blinim kaq shtrenjtë.

Advertisements

Në dy muajt e parë të vitit tendenca e konsumit të karburantit ishte në rritje, por pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia çmimet shkuan nga 185-190 lekë në 235 lekë për litër të naftës dhe rrjedhimisht konsumi mori trajektore zbritëse.

Tkurrja ishte më e fortë në muajt e verës, që sipas operatorëve të tregut u ndikua kryesisht nga fakti që të huajt që vijnë me makina nuk furnizoheshin në pikat shqiptare të tregtimit të karburanteve, por para se të hynin në kufi, për shkak të diferencave të larta në çmime.

Shifrat tregojnë se vendi ka importuar rreth 462 mijë ton karburante gjatë 9 mujorit të 2021 dhe rreth 419 mijë ton gjatë 9 mujorit të 2022. Për të parat, qytetarët shqiptarë kanë paguar të paktën 700 milion euro dhe për të dytat 890 milion euro.

Rekordi historik u arrit në muajin qershor, kur një litër naftë u shit me 254 lekë për litër, pavarësisht se kohë më parë ishte krijuar Bordi i Transparencës, që kishte synimin për të rregulluar çmimin, por në fakt edhe gjatë punimeve të tij, çmimi erdhi në tendencë rritëse.

Në muajt në vijim nafta pati një ulje të vazhdueshme të lehtë duke arritur në shtator me 225 lekë për litër. Tashmë një fuçi naftë e ka çmimin 90 dollarë në bursë, aq sa ishte para nisjes së luftës në Ukrainë. Pavarësisht kësaj, çmimi në Shqipëri vijon të jetë shumë më i lartë se para luftës.

TË NGJASHME