Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dheu këtë mëngjes rreth orës 5 në ishullin Ischia, në brigjet e Napolit në Itali.
Advertisements
Dymbëdhjetë persona rezultojnë të zhdukur për momentin, sipas prefektit të Napolit, Claudio Palomba, ndërsa dëmet janë shumë të konsiderueshme. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi tha se nuk është arritur të konfirmohet nëse ka pasur viktima.
Advertisements
Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, rrëshqitja e dheut zbriti nga mali prapa fshatit të ishullit, siç ndodhi në nëntor 2009, dhe tërhoqi zvarrë gurë dhe mbeturina që shkaktuan shembjen e të paktën 10 ndërtesave.
Janë rreth 30 familje të ngujuara me gjithsej 100 persona që janë pa ujë dhe energji elektrike. Rruga që të çon në banesat e tyre aktualisht është e pakalueshme për shkak të baltës.
Kushtet e pafavorshme të motit po i bëjnë edhe më komplekse operacionet e shpëtimit. Motobarkat dhe helikopterët që janë angazhuar në përpjekjet e shpëtimit kanë “luftuar” shumë për të hyrë në ishull për shkak të motit të keq, tha brigada e zjarrfikësve.
Kryeministrja Giorgia Meloni, Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci dhe kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile Fabrizio Curcio janë në kontakt të vazhdueshëm për të ndjekur evoluimin e situatës.
Autoritetet e ishullit iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos lëvizin dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.