Në dosjet abuzuese të shëndetësisë nëse hapet e plotë “Kutia e Pandorës” nga SPAK do të nxjerrë dhe emrin e Janis Karathanos, përfituesin e koncesionit korruptiv të laboratorëve me vlerë mbi 100 milionë euro si dhe të mbi 80 tendera me vlerë miliona euro, përmes kompanisë Pegasus. Ky biznesmen rrezikon të fundosë ministren Ogerta Manastriliun dhe shumë zyrtarë të tjerë. Sipas një dosje që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka referuar në SPAK, Ogerta Manastirliu dhe zyrtarët e tjerë në ministri, i kanë dhënë klientit të tyre Janis Karathano koncesionin në shkelje flagrante të ligjit.
Advertisements
Edhe pse Ogerta Manastirliun ishte paralajmëruar nga Banka Botërore që kompanitë e Karathanos ishin të skeduara për aktivitet kriminal jashtë vendit dhe si të tilla nuk duhet ta përfitonin koncesionin, sërish Manastirliun, duke shpërdoruar detyrën, ia dha koncesionin Karathanos. Pavarësisht ndërhyrjeve të paligjshme, lobimeve dhe alarmit të personave të implikuar, SPAK po vijon hetimet dhe duket se ka rënë në gjurmën e një prej aferave korruptive më serioze në sektorin e shëndetësisë. Anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit janë Raimond Cimbi, Silva Novi, Leonora Horanlliu, Ariola Krymi, Anjeza Alliu, Gazmir Vehbi dhe Armila Ali.
Advertisements
Por, dy kokat mbi këta zbatues janë Ogerta Manastirliu dhe Janis Karathanos. Pas tyre qëndrojnë disa seksere dhe sekserë, ish ministra dhe deputetë, të cilët dyshohet se kanë marrë një pjesë të parave. Koncesionin e laboratorëve e kanë marrë kompanitë Labopharma, Exalab France dhe AB Laboratory Solution BV. Pas Labopharma dhe AB Laboratory Solution BV qëndron Janis Karathano, i cili është edhe pronar i Pegasus, një nga kompanitë që ka përfituar më shumë para në shëndetësi.
Kontrata u lidh 3 muaj para se të regjistrohej kompania zbatuese
Gazetari Adriatik Doçi ka thelluar skandalin për abuzimet me shëndetësi. Ai ka zbuluar se Janis Karathano përdori një kompani të inkriminuar në Holandë për të marrë koncensionin 130 milionë euro të laboratorëve. “Në 23 korrik 2019 regjistrohet në Tiranë kompania LABORATORY NETËORKS, me kapital 10 milionë lekë, e cila do të zbatonte kontratën e koncensionit me vlerë 130 milionë euro të laboratorëve të analizave mjekësore pranë spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes. Kompania themelohet në qershor 2019, regjistrohet në korrik, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e kishte lidhur kontratën që në prill 2019. Kompania është në pronësi të tre kompanive me vendndodhje në Shqipëri, Holandë dhe Francë. E para është LABOPHARMA SHPK, themeluar në 2007 nga shtetasi grek Ioannis Xopapas dhe Janis Karathano.
Kompania Labopharma, e skeduar për mospagim detyrimesh tatimore dhe që ka një licencë për shitje barnash, ka 41.7 % të aksioneve, rrjedhimisht të koncensionit të laboratorë Sot, pronar të Laboparma janë Janis Karathano me 50 % të aksioneve dhe kompania T-MEDSS me 50 % të aksioneve. Pronar i T-MEDSS, një kompani fantazmë e themeluar në vitin 2021, është Sokol Ramizi. Sokol Ramizi është edhe administrator i koncensionit të laboratorëve. Kompania e dytë është AB Laboratory Solutions B.V, kapital 2.1 milionë lekë, me adresë në Laan Van Meerdervoort 1224, 2555 CD Hague, Hollandë,
e cila ka 33 % të aksioneve në kompaninë koncensionare të laboratorëve. Kompania është themeluar në vitin 2007 dhe nuk ka asnjë lidhje me laboratorët dhe diagnostikimin, por ka si objekt veprimtari financiare. Kjo kompani, me administrator Konstantinos Karathanos, është në pronësi të kompanisë shqiptare Pegasus, me pronar të vetëm Janis Karathano, me të cilën ka marrë mbi 100 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 20 milionë euro. (Tenderat me vlerën më të lartë i ka marrë në bashkëpunim me kompaninë Evita të Klod Allajbut, përfitues i koncesionit abuziv 84 milionë euor të hemodializës). Pra, Janis Karathano dhe Sokol Ramizi kontrollojnë në letra 75 % të koncensionit. Karathano ka blerë dhe përdorur një kompani financiare në Holandë, për të krijuar idenë e një bashkimi ndërkombëtar shoqërish, duke fituar koncensionin 130 milionë euro.
Prapaskenat
Kompani e tretë, e cila ka 25 % të koncensionit të laboratorëve, është EXALAB, një shoqëri franceze e regjistruar në Francë, me adresë në 208 Avenue Pasteur 33600 Pessac, Francë, dhe nr. regjistrimi 323 191 106 R.C.S Bordeaux. Në të gjithë këtë kartel kompanish të sajuara dhe të ndërlidhura me Janis Karathanon, e vetmja kompani reale është shoqëria franceze EXALAB, me objekt laboratorët për analiza mjekësore, themeluar në vitin 1998, me administrator Olivier MARQ dhe Valérie MARAZANOF, me kapital 4.8 milionë euro. Procedurat për koncensionin e laboratorëve nisën në vitin 2015 nga Ilir Beqaj dhe u finalizuan në 2019 nga Ogerta Manastirliu. Kontrata u firmos në 10 prill 2019. Në bazë të kontratës, spitalet i paguajnë konçesionarit tarifën e shërbimit për të gjitha analizat e kryera në bazë të rekomandimeve të mjekëve referues,
gjithmonë pa tejkaluar tavanin e buxhetit. Tavani është një buxhet mujor i caktuar për çdo spital për analizat, i cili nuk duhet tejkaluar. Që në fund të muajit maj të vitit 2022, herë pas herë, mjekëve të spitaleve u shkon urdhri që të mos referojnë analiza për pacientët e tyre, me përjashtim të rasteve tejet urgjente, pasi ishte prekur tavani për atë muaj. Pra, kush pati fat, i bëri analizat, ndërsa të tjerët duhet t’i drejtoheshin privatit, edhe pse kanë paguar për vite me radhë sigurime shëndetësore.