Forcimi i Lekut po i bën gjithmonë e të lira importet shqiptare, pavarësisht se një gjë e tillë nuk është ende shumë e prekshme në ecurinë e çmimeve të konsumit.
Advertisements
Kursi zyrtar i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka rënë me pothuajse 4% vetëm në 10 ditët e para të muajit qershor, ndërsa rënia krahasuar me vitin e kaluar është më shumë se 12%.
Advertisements
Banka Qendrore ka theksuar disa herë se forcimi i Lekut ka qenë një nga arsyet pse Shqipëria pati nivele inflacioni më të ulëta krahasuar me pjesën tjetër të rajonit dhe Europës.
Në fakt, leku i fortë ka filluar të japë një ndikim në rënien e inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, në nivelin 8.7%. Inflacioni i importuar për herë të parë pas një viti, shënoi vlerë njëshifrore, i ndikuar nga tkurrja vjetore e çmimeve të karburanteve dhe nga ngadalësimi i inflacionit të ushqimeve të përpunuara.
Inflacioni i importuar vlerësohet të ketë kontribuuar me rreth 25% apo me rreth 1.6 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë në formimin e inflacionit total. Ky zhvillim ka përcaktuar ngadalësimin e inflacionit në ekonominë shqiptare në muajt e parë të këtij viti. Në muajin prill, inflacioni zbriti në 4.6%, niveli më i ulët në më shumë se një vit, ndërsa për majin u regjistrua një rritje e lehtë në 4.7%.
Por, vala e re e forcimit të lekut, sidomos në periudhën maj-qershor, pritet të sjellë efekte të reja në ecurinë e çmimeve të konsumit. Nga analizat e lidhjes të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste në ekonomi paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth tre deri në pesë muaj. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit së Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit për muajin përkatës. Duke qenë se çmimet në tregjet ndërkombëtare paraqiten më të stabilizuara, forcimi i Lekut pritet të sjellë një ulje të ndjeshme në Treguesin e Presioneve të Huaja Inflacioniste.
Duke marrë në konsideratë kohëvonesën e llogaritur për përcjelljen e lëvizjeve të kursit në inflacionin e importuar, është e arsyeshme të besohet se pas vjeshtës këto efekte mund të jenë më të prekshme për konsumatorët shqiptarë.
Megjithatë, inflacioni i importuar është vetëm një komponent i inflacionit në ekonomi. Banka e Shqipërisë ka theksuar vazhdimisht se presionet e brendshme inflacioniste ngelen të larta, të lidhura sidomos me rritjen e kostos së punës.
Banka e Shqipërisë konstaton se presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të ushqehen nga një kërkesë e qëndrueshme dhe treg pune i fortë. Vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për punëtorë dhe presione për rritjen e pagave në vijim. Sipas Bankës së Shqipërisë, qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomike dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës krijojnë premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vijim, por edhe të presioneve të brendshme inflacioniste./Monitor