Orëve të vona të së martës (14 nëntor) u gjet një kokë njeriu në zonën e Xarrës, në Konispol.
Advertisements
Menjëherë është grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes ku edhe kanë nisur kërkimet. Pas gërmimeve në vendin ku është konstatuar koka e njeriut, u mësua se u gjetën edhe pjesë të tjera eshtrash, që kishin ende inde nga ku mund të fokusoheshin ekspertët mjeko-ligjor për të realizuar ADN-në krahasuese.
Advertisements
Fakti që në atë zonë ka ndodhur një prej krimeve më të rënda të këtij viti, rrëmbimi dhe zhdukja e dy miqve Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhori, janë ngritur dyshimet se pjesët e gjetura të trupit i përkasin njërit prej tyre.
Por në atë zonë sipas të dhënave ka edhe persona të tjerë të zhdukur për të cilët ekziston shumë pak informacion në lidhje me ngjarjet prej të cilave kanë ndodhur episodet. Policia lokale ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me punën që po bëhet për identifikimin e atyre eshtrave, ndërkohë që nga Saranda vijnë të dhëna të shumta se dyshohet se eshtrat mund t‘i përkasin edhe një personi tjetër që rezulton i zhdukur.
Ky i fundit, gjithnjë sipas burimeve policore ka qenë bari dhe është zhdukur pa gjurmë pak kohë më parë.
NJOFTIMI I POLICISE
Pas të dhënave tronditëse për gjetjen e trupit të masakruar, policia tregoi për të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë në Xarrë. Sipas tyre, fillimisht u gjet një kokë e groposur. Ata bënë të ditur se: Po hetojmë se kujt i përkasin eshtrat e gjetura dje në Xarrë.
Nga hetimet paraprake, ka dyshime se mbetja njerëzore mund të jetë e një prej personave të zhdukur në prill të këtij viti, Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhorit. Mësohet se koka është gjetur afër xhamisë, tek varrezat monumentale të çameve dhe prej mbrëmjes së djeshme në Sarandë kanë mbërritur dhe familjaret e Fatmir Sulovarit. Policia ka rrethuar zonën ne perimetër të gjerë dhe po vijon kërkimet, ndërkohë që në vendngjarje ka prani të madhe të forcave policore.
ZHDUKJA E DY MIQVE
Leonard Theodhori dhe Fatmir Sulovari u zhdukën pa gjurmë pasditen e 7 prillit të këtij viti dhe sot e asaj dite policia nuk ka mundur të hedh dritë jo vetëm mbi shkaqet e zhdukjes së tyre, por madje as të vërë në pranga ndonjë person të implikuar. U dhanë shumë detaje përgjatë muajve, disa pamje filmike të një makine që u pretendua se i ka transportuar dy miqtë e rrëmbyer, madje u tha se janë identifikuar edhe personat që kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe zhdukjen e tyre, por ngjarja ende nuk ka autor.
Kështu gjetja e mbetjeve mbrëmjen e së martës bëri që menjëherë të dyshohej se i përkisnin njërit nga personat e zhdukur, por pritet raporti i mjekëve ligjor për të bërë të mundur gjetjen e identitetit të kufomës.
HETIMET PËR ZHDUKJEN QË PARANDALUAN VRASJE TJETËR
Hetimet e ndjekura për zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë, çuan në parandalimin e një ngjarje kriminale në Fier, patën bërë me dije organet e policisë për të cilën ishin përgatitur mbi 21 kilogramë lëndë plasëse e montuar për shpërthim në distancë.
Albi Mëcini ra në pranga, teksa po lëvizte në aksin rrugor Mbrostar-Fier. Policia e Fierit dhe ajo e Vlorës ranë në gjurmët e planit për atentat teksa po e hetonin Albi Mëcinin si një prej pjesëmarrësve në rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në qytetin e Sarandës në prill të këtij viti. Në këtë krim ai dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin Sebastjan Lataj, 25 vjeç.
Për të dy, gjykata e Sarandës ka nxjerrë masa sigurie, për shtetasin për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”. Operacioni policor është në vijim dhe pritet që policia të japë detaje të tjera në lidhje me mënyrën se si u zhdukën dy personat në Sarandë dhe shkaqet e ngjarjes. Hetimet janë përqendruar edhe në gjetjen e trupave të dy të zhdukurve.