Celulari i sekuestruar i Alma Kaçit, tabulatet e kontakteve telefonike të saj me persona të tjerë para dhe pas regjistrimit të videos si dhe qelizat celulare që do të tregojnë vendndodhjen e saj në ketë periudhe kohore, janë provat që po analizohen me prioritet nga prokuroria për të bërë të mundur zbardhjen e skemës se kush janë porositësit e videoskandalit për ish-kreun të Bashkisë së Kukësit Safet Gjici.
Advertisements
Dëshmia e 40-vjeçares, e cila sipas hetuesve ka qenë shumë kontradiktore, e për me tepër që nuk ka pranuar deri në këtë faze, të tregojë personat që e kanë porositur si dhe personat që e kanë shpërndarë videoskandalin, duket se nuk po ndihmon në zbardhjen e çështjes.
Advertisements
Teksa ka pretenduar se ajo është një investiguese private që punonte në të zezë me kohë të pjesshme, 40-vjeçarja nuk ka pranuar të tregojë se kush e ka porositur këtë herë duke argumentuar se këtë gjë nuk e tregonte dot. Pikërisht për këtë arsye, prokuroria duket se është përqendruar tek analizimi i provave shkencore, më tepër sesa tek deklarimet.
Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se pavarësisht deklarimeve, e akuzuara për korrupsion aktiv, grupi i hetimit është duke analizuar provat shkencore dhe me pas do te veprohet me thirrjen e personave të tjerë që rezultojnë se kanë patur kontakte me 40-vjeçaren, si dhe nëse kanë qenë në dijeni për videoskandalin para publikimit te tij, dhe madje e kanë shprehur atë publikisht.
Deri në këtë fazë të hetimit, SPAK ka nxjerrë dy urdhër-arreste për ish kryetarin e bashkisë Safet Gjici, i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe 40-vjeçares Alma Kaçi kjo e fundi në ‘arrest shtëpie’ për korrupsion aktiv. Masa është dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë ndërsa është ankimuar nga avokatët e dy te akuzuarve me pretendimin se nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Avokati i ish kryebashkiakut, këmbëngul se në rastin konkret nuk kemi vepër penale por morale dhe për këtë Gjici e ka marre dënimin duke dhënë dorëheqjen. Ndërsa vetë ish-kryebashkiaku ka përsëritur edhe në gjykatë se është viktimë e një kurthi, të orkestruar nga kundërshtarët e tij politikë.
Gjici u arrestua më 24 qershor në Tiranë. Gjici akuzohet për korrupsion pasi dyshohet se ka favorizuar Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet. Vetë 40-vjeçarja ka pranuar para gjykatës se donte nga Gjici tenderin e qenve, ndërsa ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur ligjin. Të dy kanë pretenduar se kishin një lidhje intime me njëri-tjetrin përpara se të flisnin në zyrën e shtetit për tender e favorizime dhe pasi kishin kryer marrëdhënie seksuale. (Shqiptarja.com)