Dhjetë mijë romë u larguan nga Kosova në vitet 2014-2015, shumica e tyre kërkuan azil në Gjermani. Shumica sot janë kthyer me hir a me pahir dhe këtu kanë mbetur vetëm ata që duan të qëndrojnë me çfarëdo çmimi.
Advertisements
Menjëherë pas luftës, në qershor 1999 edhe Valoni (pseudonim) qe përpjekur të vinte si refugjat në Gjermani. I kishte dhënë para një trafikanti, por ai e kishte mashtruar. Ndryshe nga miku i tij, që e ka sjellë me vete në takimin tonë në një qendër tregtare të Berlinit, që kishte ardhur asokohe dhe tani i ka dokumentet, Valoni u end ca kohë nëpër Serbi, derisa iu bind dëshirës së të ëmës për t’u martuar dhe u kthye në shtëpi në Prizren. Por aty nuk e ndjente veten mirë, sepse jo vetëm që është rom, por kishte qenë edhe në luftë në anën e serbëve.
Advertisements
“Nuk kam dashur të shkoja në ushtri”, më thotë ai me një shqipe të pastër. “Por më gjetën në rrugë dhe më morën me detyrim”. Kur filloi lufta, në mars 1999, na nisën me tanke në drejtim të Podujevës. “Nuk kam vrarë askënd,” beson ai. Dhe më vë përpara dy fotografi ku ka dalë me uniforma të ushtrisë serbe. Më tregon edhe një vërtetim zyrtar në serbisht për pjesëmarrjen e tij në ushtri. Dhe një vërtetim nga Shoqata e Sintit dhe Romëve në Gjermani, ku konfirmohet se i përket kombësisë rome.
Të gjitha këto dokumente i kishte paraqitur edhe në Zyrën Federale të Refugjatëve, në vitin 2014 kur kishte parashtruar kërkesën për azil. Intervistën e kishte bërë në serbisht për ta pasur më të lehtë rrëfimin para nëpunësit gjerman. Sepse siç thotë ai, nuk i ka thënë askujt në Prizren, që ka qenë në luftë. Por i doli ndryshe: “Përkthyesja ishte myslimane nga Bosnja dhe kur i thashë që kisha qenë në ushtrinë serbe gjatë luftës, gati sa s’më hëngri me sy”, kujton. Një urrejtje që e ka ndier shpeshherë edhe në Kosovë, kur haste dikë që ia dinte historinë, megjithëse vetë nuk fliste kurrë për të.
Jetë në ilegalitet dhe frikë e përhershme
“Një jetë në ilegalitet dhe me frikë të përhershme. Durohet kjo?”- më pyet. Valoni nuk donte të jetonte më me një gënjeshtër, donte të ishte i barasvlefshëm me të tjerët e të mos diskriminohej për shkak të pjesëmarrjes së tij në luftë, si ushtar i forcave të rregullta. Një kërkesë legjitime, por e pamjaftueshme për shtetin gjerman që t’i njohë të drejtën për strehim politik. Prandaj edhe kërkesa e parë iu refuzua.
Afro 40 mijë shtetas nga Kosova kanë kërkuar azil në Gjermani në vitet 2014-2015. Ishte periudha luftës së Sirisë dhe Gjermania kishte halle të tjera. Prandaj qeveria reagoi me një paketë masash për menaxhimin e shpejtë të fluksit të refugjatëve, njëra prej të cilave ishte shpallja e vendeve të Ballkanit si “të sigurta”. 120 mijë kërkesa për strehim politik ishin parashtruar nga këto vende vetëm në vitin 2015. 90 për qind e tyre u refuzuan me njëherë. Shumica e refugjatëve u kthyen me dëshirën e tyre, të tjerët me detyrim.
Pritje deri në tre vjet
Mbetën vetëm ata që nuk shihnin asnjë lloj perspektive në vendin e tyre. Shumica pjesëtarë pakicash, si romët, ose kush nuk e ndjente veten të sigurt për shkaqe personale. Valoni i kishte të dyja, ndaj nuk u dorëzua dhe u ankua për çështjen në shkallën e dytë.
Tre vjet zgjasin zakonisht procedurat deri sa të vijë përgjigja përfundimtare. Kohë, të cilën ai e shfrytëzoi sa mundej: mësoi gjuhën dhe angazhohej vullnetarisht në organizata joqeveritare, ndihmonte kë të mundej, derisa gjeti edhe një vend pune në një kompani për larje automjetesh, ndërsa e shoqja në një shkollë fillore si ndihmësedukatore. U shkëputën nga varësia e shtetit, dolën nga strehimorja dhe morën një banesë të vetën me qira, paguanin tatime dhe gjithçka dukej se ishte në rregull, derisa erdhi përgjigja e dytë negative dhe shpresat u venitën: e drejta e punës iu hoq dhe si ai ashtu edhe e shoqja u detyruan të largoheshin menjëherë nga puna. Valoni bëri dhe një përpjekje dhe e parashtroi rastin e vet në komisionin e rasteve të jashtëzakonshme, por pa sukses.
Peticion, po pastaj…
Tani i ka varur shpresat te fjala e popullit: Parlamenti i Berlinit, Komisioni i Peticioneve. Peticionet për leje qëndrimi zinin vendin e parë në listën e peticioneve të parashtruara në komision në vitin 2016. E shprehur në shifra: 243 kërkesa nga gjithsej 1.500 që qytetarët e Berlinit parashtruan vitin e shkuar, ishin kërkesa për leje qëndrimi nga azilkërkues të refuzuar. Gjysma e tyre ishin nga vendet e Ballkanit, dhe shumica romë. Procedura e shtrimit të peticionit është shumë e lehtë, ajo mund të bëhet në internet, brenda disa minutash. Por vetëm afro 15 për qind e kërkesave marrin përgjigje pozitive.
Shanset që Valoni të marrë një përgjigje pozitive nuk janë shumë të mëdha. Dhe ai vetë e di. Por që të kthehet në Kosovë, kjo as që shtrohet për diskutim. Çfarë do të bësh e pyes? “Kam tre muaj kohë të ndahem nga ime shoqe dhe të martohem me një gjermane, më thotë ai. Kaq lehtë?” I them. “Ta lë dhe atë të lirë, sepse e mora më qafë” ma kthen. /DW