Leku “shkërmoq” euron dhe dollarin, ja me sa u këmbyen sot

by author

Revanshi i Euros dhe valutave të tjera në kursin e këmbimit me Lekun nuk ka zgjatur më shumë se një javë.

Advertisements

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 106.78 lekë. Euro ka humbur 1.41 lekë që nga fillimi kësaj jave dhe ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 13 qershor. Rënia me ritme të shpejta e Euros ka zhvlerësuar edhe valutat e tjera kryesore.

Advertisements

Dollari Amerikan u këmbye me 97.75 lekë, duke shënuar kështu një rekord të ri në rënie për 12 vitet e fundit.

Paundi britanik u këmbye me 124.21 lekë, në rënie me rreth 1.4 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar dhe duke qëndruar pranë vlera më të ulëta historike, që u shënuan në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor.

Edhe Franga Zvicerane humbi terren dhe u këmbye me 108.95 lekë, duke u rikthyer pranë niveleve më të ulëta të katër viteve të fundit.

Burime nga tregu bëjnë të ditur se rënia e Euros u frenua nga një ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë. Pas datës 9 qershor, kur Euro preku minimumin historik prej 105.62 lekësh, Banka e Shqipërisë ndërhyri me blerje direkte të Euros në tregun valutor, me qëllim për të frenuar rënien e shpejtë të kursit të monedhës europiane. Por, efekti i kësaj ndërhyrje nuk ka zgjatur më shumë se një javë dhe kursi i Euros i është kthyer sërish rënies. Ky mund të jetë një tregues se ndoshta ekuilibrat normalë të kursit Euro/Lek tashmë janë zhvendosur në rënie dhe ndërhyrjet afatshkurtra të Bankës së Shqipërisë nuk kanë ndonjë dobi të madhe.

Këtë vit, Leku po shfaq një tendencë të fortë mbiçmuese në kursin e këmbimit me Euron, tendencë që po reflektohet edhe në kursin e këmbimit me valutat e tjera. Me bazë vjetore, monedha europiane ka humbur rreth 12%. Sipas agjentëve, kjo rënie shpjegohet me ofertën e lartë të Euros në tregun valutor. Burimet e kësaj oferte të lartë është e vështirë të identifikohen plotësisht, por në pamje të parë përmirësimi i Bilancit të Pagesave dhe rritja e prurjeve nga turizmi duket se e mbështesin tendencën mbiçmuese të lekut. Hyrja e sezonit turistik i ka forcuar edhe më shumë tendencat mbiçmuese të monedhës vendase.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e deficitit të llogarisë korrente në tremujorin e parë të vitit zbriti në 135 milionë euro, 72% më pak krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe 46% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ishte njëkohësisht vlera më e ulët e shënuar ndonjëherë për tremujorin e parë të vitit, të paktën për periudhën prej vitit 2008 e në vazhdim, të mbuluar nga statistikat e Bankës së Shqipërisë.

Përveç përmirësimit të ndjeshëm të bilancit të llogarisë korrente, një kontribut në rritje për tremujorin e parë erdhi nga llogaria financiare dhe sidomos nga investimet e huaja direkte. Fluksi prej 308 milionë eurosh i investimeve të huaja direkte ishte gati 2.3 herë më i lartë se deficiti i llogarisë korrente për tremujorin e parë.

Nga ana tjetër, në të njëjtin kah duket se po ndikon edhe rënia e ofertës së Lekut, nga politika monetare me tipare shtrënguese që po ndjek Banka e Shqipërisë, por edhe qeveria shqiptare. Edhe për muajin prill, agregati monetar M2 shënoi ritme shumë të ulëta të rritjes vjetore, me vetëm 2.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga ana tjetër, suficiti buxhetor në muajin prill arriti nivelin e 34.6 miliardë lekëve, në rritje me 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e ndjeshme e Euros po favorizon subjektet importuese të mallrave dhe shërbimeve dhe besohet se do të japë një efekt në uljen e inflacionit, ndoshta në tremujorin e fundit të vitit. Gjithashtu, kjo rënia favorizon edhe huamarrësit në valutë të huaj, me të ardhura në monedhën vendase. Por, nga ana tjetër, zhvlerësimi i Euros po godet rëndë sektorët eksportues të ekonomisë dhe familjet me të ardhura në valutë, kryesisht përfituesit e remitancave./Monitor

TË NGJASHME