Monedhat e huaja në ‘greminë’/ Periudhë e pazakontë për forcimin e lekut, fiton pikë edhe me dollarin

by author

Leku është forcuar këtë javë në kursin e këmbimit valutor përballë euros dhe dollarit amerikan. Tradicionalisht, nëntori favorizon monedhat e huaja dhe zhvlerëson lekun shqiptar, por java e parë e këtij muaji ka sjellë efektin e kundërt në treg.

Advertisements

Në kursin zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro po këmbëhet me 105 lekë, në rënie me 0.12 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Monedha europiane ka zbritur në nivelin më të ulët që prej datës 15 gusht.

Advertisements

Edhe dollari amerikan ka pësuar një rënie të ndjeshme, me më shumë se një lek krahasuar me javën e kaluar. Një dollar amerikan këmbehet me 97.7 lekë, në vlerën më të ulët që prej datës 22 gusht.

Leku po shfaq një tendencë të re dhe graduale mbi çmimin duke filluar nga java e fundit e muajit tetor, sidomos në kursin e këmbimit me euron.

Rritja e normës bazë të interesit në datën 1 nëntor nga Banka e Shqipërisë duket t’i ketë dhënë një shtysë edhe më të fortë forcimit të lekut. Ekspertët në përgjithësi janë skeptikë lidhur me efektin e normave të interesit në ecurinë e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros.

Megjithatë, rritja e normës bazë pas pothuajse tetë muajsh përfaqëson një hap të mëtejshëm normalizimit të politikës monetare drejt një norme interesi të balancuar.

TË NGJASHME