Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur, një nga emrat më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare

by author

Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare shkrimtari Naum Prifti,

Advertisements

një nga emrat më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Advertisements

Shkrimtari mësohet se është ndarë nga jeta në SHBA, ku jetonte prej vitesh.

Naum Prifti, novelisti, tregimtari, dramaturgu, skenaristi, kritiku, fabulisti, qëmtuesi i folklorit dhe mjeshtrit të shqipërimit, është një nga këto figura shumëdimensionale, që u rezistoi me dinjitet viteve të diktaturës dhe gjeti vendin e tij edhe pas saj.

TREGIMTAR DHE DRAMATURG

Pas botimeve të disa vëllimeve me tregime si: “Tregime të Fshatit” (1956), “Lëkura e Ujkut” (1958), “Çezma e Floririt” (1960), “Tregime” (1962), Naumi lëvroi dramën. Në vitin 1964 me dramën e tij “Rrethimi i Bardhë” u përurua hapja e teatri “Skampa” të Elbasanit.

Drama u vu njëkohësisht edhe nga trupa profesioniste e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Ndonëse u pëlqye shumë nga artistët dhe nga publiku, Enver Hoxha vërejti se grupit të gjeologëve të rrethuar nga bora në veri të vendit, nuk u erdhi në ndihmë aeroplani i dërguar nga autoritetet, por ata ia dalin mbanë vetë.

Enver Hoxha dështimin e hedhjes së ndihmës nga aeroplani e mori si sfidë për politikën e tij. Drama dhe vetë autori do kishin pasur fat tjetër nëse punëtorët e kantierit do brohorisnin “Parti-Enver”. Me intuitën e tij, në dramë Naumi kishte pohuar se partia që e mbante veten si detashmenti pararojë i klasës punëtore, qe larg saj shpirtërisht e fizikisht dhe se askush nuk e ka shfrytëzuar më egërsisht këtë klasë se të vetëquajturit përfaqësuesit e saj, udhëheqësit e partive komuniste në vendet ku kishin në dorë pushtetin, kujton Naum Prifti. Riedukimi ishte një nga pasojat e hidhura të “dramës së gabuar”, “Rrethimi i Bardhë” që do ta shoqëronte shkrimtarin për më shumë se dhjetë vjet.

Naumi kishte dhunti si dramaturg dhe repertori i tij në këtë gjini është shumë i pasur me vepra si “Mulliri i Kostë Bardhit” (1969), Plumbat e shkronjave” (1978), “Një verë e thatë”, “Zani-Partizani” (1981), “Lenini mes fëmijëve” (1981), “Luftëtari më i ri” (1981), komedia “Dasmë pa nuse” (1969), “Talent i rrallë” (1980). Naum Prifti është i vetmi autor, i cili ka parë një vepër të tij të vënë në të gjitha skenat e teatrove profesioniste të Shqipërisë. Me kërkesën e baletmaestros Agron Aliaj, Naum Prifti shkroi edhe një libret baleti me titullin “Bijtë e shqipes”. Libreti u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar në 1974.

SKENARIST I FILMAVE ARTISTIKË DHE VIZATIMORË

Mbi të gjitha, Naum Prifti shquhet në gjininë e tregimit. Lista e botimeve përshin vëllime si “Një pushkë më shumë” (1969), “Litar i zjarrtë” (1970), “Tregime të zgjedhura” (1972), “Njerëz të kësaj toke” (1975), “Njëqind vjet” (1983), “Tre vetë kapërcejnë malin” (1972), “Yjet ndritin lart” (2002), “As Miço, as Muço” (2003).

Kaq e thellë është modestia e tij dhe vlerësimi për moshat e reja, sa Naum Prifti u angazhua si pjesëtar i ekipeve për tekstet shkollore, një punë me të cilën nuk do angazhohej asnjë “shkrimtar elitist”.

MJESHTER I PËRKTHIMIT

Dashuria për fjalën shqipe, për ruajtjen e tyre, për përdorimin me vend del në pah edhe më mirë në përkthimet mjeshtërore të Naum Priftit. Veprat e Roald Dahl “Gjiganti i madh i mirë”, 1990, “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami” (2018) janë shqipëruar prej tij në mënyrë të përsosur. Në to është Naum Prifti poet, sepse i është dashur të krijojë poezitë që përmban libri.

Prof. dr. Majtime Dushallari, në vlerësimin e saj për këtë libër, shkruan: Naum Prifti në këtë përkthim shpalos pasurinë e gjuhës shqipe. Për një fjalë anglisht asnjëherë nuk përsërit fjalët shqip, por përdor fjalë sinonime ose shprehje të ndryshme me të njëjtin kuptim sipas situatës, që e bëjnë tregimin të rrjedhshme dhe gjuhën më të larmishme. Nga frëngjishtja, ai ka përkthyer “Princin e vogël” të Exuperisë e nga italishtja “Katër stinët” me përralla. Ai ka përfunduar disa përkthime të tjera nga Dahl dhe Singer

TË NGJASHME