Njëri prej trafikantëve më të fuqishëm të drogës nga Shqipëria dhe i dënuar me 20 vite burg, arrestohet sërish Alket Hatija, trafikoi 540 kg kokainë dhe heroinë

by author

Policia shqiptare prangosi sërish 50-vjeçarin Alket Hatija, i konsideruar e dënuar nga gjykatat italiane e shqiptare për trafik të madh droge mes dy shteteve. I ashtëquajturi “Zoti i drogës”, u kap sërish në Durrës në një hotel. Sipas raportimit të Policisë së Shtetit, ai duhet të vuajë dënimin me 20 vite burg të dhënë nga Gjykata e Milanos në 2015. Emri i Alket Hatisë është lakuar vazhdimisht në mediat italiane dhe shqiptare. Ai akuzohet se ka transportuar në 49 raste në mënyrë të organizuar me grup kriminal 350 kg heroinë dhe 190 kg kokainë në vitet 2003-2004 nga Shqipëria në Itali. Vlera e tyre arrinte në total 35-45 milionë euro. Jo vetëm për veprimtarinë e tij kriminale, Hatija u bë i njohur në Shqipëri edhe për manovrat e shumta të shpëtimit nga burgosja. Ai është prangosur disa herë dhe në të kaluarën, por ia ka dalë të shpëtojë nga burgosja. Edhe pse Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë kanë vendosur vite më parë ekstradimin e tij në Itali, nëpërmjet gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit, Hatija ka dalë me procedurë ligjore nga qelitë në Shqipëri.

Advertisements

Kush është Alket Hatija? I kujdesshëm në lëvizjet e tij, por ja ku gaboi
Sipas Interpol Milanos, Hatija punoi disa kohë në Itali në sektorin e bujqësisë dhe më pas u përfshi në trafikun ndërkombëtar të drogës, ku krijoi e drejtoi rrjetin e tij. Në të dhënat e Interpolit, ai rezultonte me një emër, dy datëlindje, një foto në një pasaportë dhe një adresë banimi në Itali, në provincën e Campobasso (rajoni Molise), atje ku kishte jetuar në vitin 1997. Lidhur me aktivitetin e tij kriminal, mediat italiane shkruanin se kishte një vilë bunker në qytetin e Beratit, e cila vëzhgohej me kamera dhe truproja të armatosura. Hatija njihet si një trafikant “i pastër”, dhe se nuk e prekte asnjë gram të substancës me dorë, por në sajë të telefonatave ai ishte në gjendje të lëvizte sasi të mëdha drogë. Në bisedat telefonike, atij nuk i drejtohej askush me emër, me qëllim shpëtimin nga përgjimet dhe arrestimet e mundshme. Droga që vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve, dorëzohej menjëherë. Në këtë mënyrë, malli nuk qëndronte për kohë të gjatë në duart e narkotrafikantit, ndaj ai nuk përdorte asnjë lloj magazine për të ruajtur lëndën narkotike. Zakonisht, për ngarkesat më të mëdha, i paraprinte udhëtimet e korrierëve të tij për të verifikuar personalisht që gjithçka të shkonte sipas planit. E pikërisht në një nga këto raste, bëri edhe gabimin e tij të vetëm, duke treguar pasaportën në mbërritje me anijen në portin e Ankonës.

Advertisements

Arrestimi i parë në 2008, u dënua në 2010 dhe u lirua në 2014
Alket Hatija u arrestua për here të parë në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, pasi akuzohej se ishte pjesë e një organizate kriminale kriminale në drejtim të trafikimit të qindra kilogramë heroinë në Itali. Çështja u transferua në Shqipëri për gjykim, ku pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg në vitin 2010. Por, çuditërisht në 2014 ai u lirua, pas pretendimeve se bashkëshortja i vuante nga sëmundje kronike. Në 2015, Gjykata e Milanos e dënoi me 20 vite burg për trafik madhor droge.

Arrestimi tjetër në 2017 i Hatisë, gjyqtari i Durrësit e shpëtoi
Hatija u prangos sërish në 8 korrik 2017 në Durrës teksa po priste të takonte një mikun e tij. 3 ditë më vonë, ai u lirua në 11 korrik të atij viti nga gjyqtari Petraq Curri. Ai argumentoi se Hatija e ka vuajtur dënimin në Itali.

Kalvari ligjor, GJL vendosi rikthimin e çështjes në Apelin e Durrësit në 2019
Në 5 mars të vitit 2018, Gjykata e Durrësit vendosi të refuzonte kërkesën për ekstradimin e Alket Hastisë, ndërsa i hoqi masën e sigurisë “arrest me burg”. Vendimi u ankimua nga prokuroria. Gjykata e Apelit Durrës në 14 prill 2018 la në fuqi vendimin e shkallës së parë.Prokuroria e ankimoi më tej vendimin në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq, Gjykata e Lartë, në 22 nëntor të vitit 2019, vendoi të rrëzonte vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila kishte lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për të mos e ekstraduar Alket Hatinë. Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për shqyrtim në Apel, për t’u gjykuar nga një tjetër trupë gjykuese.

Hatija përdori çdo “tentakulë” për t’i shpëtuar ekstradimit, GJK e fundosi në 2022
Gjykata e Apelit Durrës, në 20 prill 2021, ka vendosur të pranojë kërkesën për ekstradimin e Hatisë në Itali. Ky vendim është ankimuar nga Hatija në Gjykatën e Lartë. Në shtator të vitit 2019, Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për ekstradimin e Alket Hatisë drejt Italisë. Vendimi i ankimuar nga Hatia në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se po vuante dy herë dënimit për të njëjtën vepër penale dhe se nuk i ishte garantuar mbrojtja me avokat sipas ligjit. Në shkurt 2022, Gjykata e Kushtetuese ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë, me argumentin se Alket Hatisë i është dhënë mundësia për t’u mbrojtur me avokat. Vuajtja e dënimit me burg në Shqipëri nuk iu njoh Hatisë nga pala italiane vite më parë, pasi mes dy shteteve nuk kishte marrëveshje ekstradimi. OFL i dërgoi në qershor 2020 formularin e deklarimit të pasurisë.

Hatia në intervistë nga arratia në 2021: E kam kryer dënimin në Shqipëri
Në qershor 2021, gjatë një interviste nga arratia për “News 24”, Alket Hatija refuzoi t’i dorëzohej policisë, me pretendimin se e ka shlyer dënimin e dhënë nga Italia në Shqipëri. Dy vite më parë, Gjykata e Apelit të Durrësit miratoi ekstradimin e tij në Itali. “Për mua ka qenë një vendim ekstrem. Nuk e prisja kurrë një gjë të tillë. Jam dënuar 16 vjet. Dënimin e kam kryer, nuk mund të dënohem dy herë për të njëjtën çështje”, u shpreh Hatija.

“Metamorfoza”, SPAK nis hetimin pasuror ndaj 17 personave
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi dje verifikimin e pasurive të 17 personave (8 të arrestuar dhe 9 në kërkim) të megaoperacionit “Metamorfoza”. Institucioni i akuzës ka kërkuar informacione në bankat e nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë bankare që mund të kenë këta persona. Shkresa për të verifikuar pasuritë e të dyshuarve për 12 vepra penale janë dërguar edhe në institucionet e agjencitë e pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të tyre. Gjithashtu në sitë janë edhe transaksionet që këta shtetas kanë kryer përpara se të akuzoheshin. Në sitë janë vënë prona të luajtshme e të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj. Ndërkohë, sot do të vendosur për ndryshimin e masave të sigurisë të tyre në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

TË NGJASHME