Hera e fundit që Arben Ahmetaj u pa në publik përballë kamerave ishte në seancën parlamentare të 6 korrikut, ku shkrep edhe një foto me Rrahman Rrajën, një ditë para se ky i fundit të dorëhiqej prej postit të deputetit pas skandalit ku të afërm dhe djali i tij dhunojnë me shkopinj bejzbolli dy vëllezër nga Borizana e Krujës. Pas kësaj, në rrjet kanë qarkulluar disa foto, e disa lajme që ai ka lënë Shqipërinë.
Advertisements
Sipas informacioneve të siguruara nga Voxneës.al nga burime policore, Ahmetaj është larguar nga Shqipëria ditën e premte më 7 korrik. Rastësi, apo e koordinuar në të njëjtën ditë është firmosur edhe kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për autorizim për arrestimin e tij nën tre akuza, mes të cilave edhe korrupsioni e pastrimi i parave.
Advertisements
Burimet thonë se Ahmetaj ka lënë Shqipërinë përmes kufirit tokësor me Greqinë nga pika e kalimit të Kakavijës. Kjo përforcohet edhe nga një postim publikuar nga gazetari Artan Hoxha që e tregon Ahmetajn në sportelin e kësaj dogane me pantallona të shkurtra dhe atlete të kuqe.
Megjithatë, dyshohet se Greqia nuk ka qenë destinacioni final i Ahmetajt, por është përdorur si transit prej tij për t’u larguar drejt një vendi të tretë.
Dyshohet se destinacioni final i Ahmetajt është njëri mes Dubait, Jordanisë dhe Marokut. Në Dubai Ahmetajn ‘e pret’ një komunitet i zgjeruar shqiptarësh të shpallur në kërkim nga drejtësia për akuza nga trafiku ndërkombëtar i drogës, te vrasjet me pagesë, ndërsa në Jordani e Marok prania e shqiptarëve është minimale.
E përbashkëta e të trija vendeve është se me asnjërin prej tyre Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi.
Mungesa e kësaj marrëveshjeje ka bërë që emra me akuza të rënda mbi shpinë nga drejtësia të strehohen në Dubai, nga ku dyshohet se vijojnë të drejtojnë aktivitetet e tyre, kryesisht në trafikun e drogës. Nga Jordania e Maroku nuk ka shembuj të tillë, por sërish mospasja e një marrëveshjeje dypalëshe ekstradimi do t’i garantonte Arben Ahmetajt lirinë në rast se Kuvendi autorizon SPAK-un që ta prangosë atë.