8 të arrestuar dhe 9 të shpallur në kërkim është bilanci i megaoperacionit policor “Metamorfoza” kundër grupit kriminal Bajri dhe Ervis Martinajt e bashkëpunëtorëve të tyre. Ditën e djeshme, Policia e Shtetit dha informacion të plotë për operacionin e zhvilluar në fshehtësi ditët e fundit. Kyç në realizimin e këtij operacioni ka qenë zbërthimi dhe çkodimi i aplikacioneve të komunikimit online “EncroChat” dhe “SKY” mes anëtarëve të grupit kriminal Bajri, bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, ish-zyrtarëve të policisë e prokurorisë së Shkodrës, etj. Autoritetet franceze mundësuan këto çkodime mesazhesh, duke ia dërguar palës shqiptarë. Komunikimet mes palëve çuan në zbardhjen e 1 vrasjeje dhe 1 tentative eliminimi dhe 2 plane vrasjesh : vrasjen e Gjin Ndojit (Boriçit) dhe tentativën e vrasjes së Taulant Pepajt dhe planet për të ekzekutuar Kleant Musabelliun, dhe Ibrahim Licin me Genc Tafilin dhe Dorjan Dulin. Në total u kontrolluan 26 banesa në Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, ku u sekuestruan një arsenal i madh armësh, pajisjesh luftarake, para, etj. SPAK ngriti gjithsej 12 akuza. Ajo çfarë rezultoi tronditëse nga hetime ishte fakti se ish-drejtuesit e Policisë, Oltion Bistri dhe Ardit Hasanbegaj së bashku me prokurorin e Kukësit, Xhevahir Litën bashkëpunon më Bajrajt, Martinajn dhe biznesmenin e arrestuar Pëllumb Gjoka, duke i shpëtuar nga akuzat e arrestimi. Policia mori më herët në pyetje Safet Bajrin, Erogen Vason (Brajoviç) dhe Ilir Bajrin, të arrestuar e liruar vite më parë si anëtarë të grupit kriminal Bajri në Shkodër.
Advertisements
Të arrestuarit dhe në kërkim, bashkëpunim me organet dhe shtetet e huaja
Të arrestuarit: Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbengaj, Oltion Bistri, Xhevahir Lita, Sabjen Troshani dhe Nehat Fojleta. Të shpallur në kërkim: Behar Bajri, Ervis Martinaj, Denis Bajri, Klaudio Haka, Prekë Kodra (do vriste Albin Kurtin), Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj dhe Elion Hato. Për zbardhjen e veprave penale dhe arrestimin e të dyshuarave, policia shqiptare ka bashkëpunuar me Eurojust, Europol dhe policitë e Belgjikës, Holandës dhe Francës. Sipas informacioneve, 15 masat e arrestit u firmosën në 23 korrik nga GJKKO, 1 ditë më vonë u pranua kontrolli në 14 banesa dhe 6 nga 8 arrestimet u realizuan para dy ditësh. Hetimet për këtë operacion nisën që në 16 janar të këtij viti.
Advertisements
Ja 12 akuzat e plota
“Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimit të narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Kontrollet, sekuestrohen arsenal i madh armësh, miliona lekë dhe pajisje të tjera
Gjatë kontrolleve të ushtuara në Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, u sekuestruan një arsenal armësh, 8 armë zjarri (6 pistoleta, 1 automatik, 1 pushkë), municion luftarak, 19 karikatorë për mbajtje municionesh, 2 baza për vendosje snajperi, 3 armë gjahu, 2 baza karikues radiosh policie, 2 armë të ftohta (thika), 3 maska, 1 paruke, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), 1 kamera kurth, 2 targa automjetesh. Po ashtu policia sekuestroi 3 orë dore të markave të shtrenjta, 3.409 milionë lekë, 31.205 euro, 4400 dollarë, 3 USB, 7 DVR, 28 celularë dhe 1 laptop. Armët e sekuestruara dhe provat e tjera materiale u dërguan laboratorin e Policisë Shkencore në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
Plani për të vrarë ish-efektivin e SHKB, Musabelliu e plagosi Gjokën në 2017
Mbrëmjen e 11 shtatorit 2017, Kleant Musabelliu, me detyrë punonjës në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Burgje, plagosi biznesmenin Pëllumb Gjoka me plumb pistolete në këmbë. Ngjarja ndodhi në zonën e “Pazarit të Ri” në Tiranë. Shkak u bë konflikti mes fëmijëve të tyre në shkollë. Edhe pse ngjarja thuhej se u mbyll me pajtim mes fëmijëve, Gjoka dhe Musabelliu janë sharë mes tyre. Në mbrëmjen e 11 shtatorit 2017, Musabelliu shkoi të bisedonte me biznesmenin, por debati kaloi sërish në fyerje e kërcënime. Punonjësi i SHKB në Policinë e Burgjeve qëlloi biznesmenin Gjoka me pistoletën e shërbimit. Ai u arrestua e lirua më pas. Kjo ngjarje nuk u harrua nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili kërkoi ta vriste Musabelliun. Ai ia kërkoi këtë gjë Behar Bajrit, por më pas krimin për ta realizuar e merr përsipër Ervis Martinaj, me të cilin bashkëpunojnë të treja palët edhe në ekzekutimin Gjin Ndojit. Musabelliu u ndoq nga pas dhe u fotografua, por eliminimi i tij nuk u krye.
Vrasja e Gjin Ndojit, porosi nga Martinaj, 100 mijë euro nga Gjoka, ja kush e kreu
Në 9 gusht 2020, vritet me 3 plumba (2 në kokë dhe 1 në shpatull) Gjin Ndoji (Borriçi). Ai rezultoi mik me fisin Bajri dhe akuzohej se kishte kryer një seri vrasjesh me porosi. Konkretisht, policia dyshonte se ai ekzekutoi Fatbardh Licin në 10 gusht 2018, xhaxhain e Ibrahim Licit, një nga 4 personat më të kërkuar nga shteti shqiptar për t’u arrestuar. Arma tip pistoletë “Scorpion” e përdorur në këtë vrasje dyshohej se ishte përdorur disa vite më parë dhe në një ngjarje tjetër nga Gjin Boriçi. Vrasjen e 38-vjeçarit Boriçi, policia e lidhi me 2 pista: gjakmarrje dhe larje hesapesh. Por, mes tij dhe Bajrave nisën konfliktet, që nuk bëhen të ditura. Çuditërisht, Ervis Martinaj porosit vrasjen e tij dhe financimin e bën Pëllumb Gjoka. Behar Bajri mori përsipër gjetjen e vrasësve. Në përgjimet e tyre rezulton se Gjoka është i gatshëm të ofrojë 100-110 mijë euro për eliminimin e Boriçit. Edhe pse Behar Bajri shprehet se ka gjetur vrasës me pagesë të huaj, ai e kryen krimin në fund me të afërmin e tij Denis Bajri. Pjesëmareësit në eliminimin e 38-vjeçarit Borrici shkuan dhe në varrimin e tij për t’u hequr dyshimet familjarëve të viktimës.
Gjoka i kërkoi ish-shefit të policisë Hasanbegaj të mos hetonte vrasjen e Ndojit
Pas krimit, biznesmeni Pëllumb Gjoka bisedon me ish-shefin e Krimeve të Rënda në Policinë e Shkodrës, Ardit Hasanbegën. Ai i kërkon zyrtarit të policisë që të heqë dorë nga hetimet.”Çfarë ishte ajo që ndodhi mbrëmë?”, i drejtohet Gjoka Hasanbegajt. “Ja po hetojmë”, përgjigjet ish-polici. “Keni gjetur prova?”, interesohet biznesmeni. “Po disa, të vogla…”, flet Hasanbegaj. “Lëre mos u merr më me të”, i thotë Gjoka. Hasanbegaj u shkarkua nga Policia e Beratit në 22 nëntor 2022, pasi u akuzua se toleroi kultivimin e 870 kg kanabis në Drenovicë. Përveç përgjimeve, ai akuzohet se bashkëpunoi me grupin Bajraj për të krijuar kushtet e vrasjes së Ibrahim Licit, Dorjan Dulit dhe Genci Tafilit në 2020.
Sulmi me pistoletë i Taulant Pepajt, u përfshi Eljon Hato me Shkëlzen Xhenjen
Paraditen e 21 shkurtit 2021, Taulant Pepaj, një ish-i dënuar për tentativë vrasjeje u qëllua nga 2 persona me pistoleta në Shkodër. Uniformat blu shpallën në kërkim Eljon Haton, Shkëlzen Xhenje dhe vëllain e tij Sehar Xhenje. Kamerat e sigurisë vërtetuan se Hato dhe Shkëlzeni dalin nga 1 makinë dhe hapin zjarr ndaj Pepajt. Shkak i kësaj ngjarjeje ishte fakti se për dy vite me radhë, Pepaj, Hato dhe Shkëlzen Xhenje konfliktoheshin në burgun e Shën Kollit për motive banale. Secili prej tyre, kërkonte të krijonte territorin e vet brenda 4 mureve.
Përgjimet, Bistri favorizonte Gjokën dhe spiunonte operacionet te Martinaj
Ish-shefi i komisariatit nr.2 të Tiranës dhe ish-drejtues komisariati në Durrës e Lezhë, Oltion Bistri rezulton nga hetimet se ka biseduar me Pëllumb Gjokën dhe Ervis Martinajn. Me të parin, ai i krijon mundësi që të ushtrojë pa probleme aktivitetin e lojërave të fatit, qoftë me shkelje. Në rastin e dytë më të rëndë, ai informon për çdo operacion policor biznesmenin Martinaj.
Prokurori Lita shpëtoi Bajrajt nga akuzat, ndërhynte dhe në çështje të tjera
Prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita ndërhynte në proceset ndaj Bajrajve duke u pushuar akuzat apo mbyllur hetimet, si dhe duke ndërhyrë edhe tek procese të tjera që nuk i kishte vetë.
Njëri nga 9 të kërkuarit, Kodra do vriste Albin Kutin, specialist snajperash
Njëri prej 9 personave në kërkim nga Policia e Shtetit është dhe Prek Kodra, njeriu që u akuzua 2 vite më parë se do të vriste kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin. Informacioni për vrasjen e mundshme të Kurtit, doli në një nga emailet e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano që u publikua nga hakerat iranianë. Në një dokument sekret, publikuar edhe në mediat e Kosovës, Njësia Kundër Terrorizmit vendase në vitin 2021, kishte marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit, Albin Kurti, ish-anëtarit i Shërbimit Informativ, Ismet Haxha dhe ish-deputetit të PDK, Xhavit Halitit. I dyshuari ishte Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument thuhej se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe dyshohej se ishte përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Vetë Kodra i mohoi publikisht akuzat në një media të Kosovës.