‘Palosja’ e euros ndikon drejtpërdrejtë në xhepin e familjeve shqiptare, ja sa para humbasin çdo muaj

by author

Ditët e fundit kryefjala në ekonomi ka qenë rënia e euros në raport me lekun.

Advertisements

Edhe pse euro nuk është monedha bazë e vendit, nënçmimi i saj kundrejt lekut padyshim që ka impaktuar ekonominë shqiptare, po ashtu edhe familjet të cilat kanë kursime në euro, por edhe ato familje të cilat e sigurojnë jetesën nga dërgesat e emigrantëve, remitancat. “Scan Intel” ka marrë në analizë pikërisht ndikim që ka patur rënia e monedhës europiane në familjet shqiptare të cilat marrin remitanca.

Advertisements

Gjatë vitit 2022 dërgesat e emigrantëve prekën rekord historik duke arritur vlerën e 833.7 mln eurove. Kjo ishte edhe shifra më e lartë që nga vitit 2008-të. Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave” në Shqipëri janë rreth 765,551 familje. Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë” vetëm 25.5% e tyre marrin remitanca, pra 1 në 4 familje shqiptare.

Referuar përllogaritjeve nga këto familje vetëm 191,387 prej tyre presin dërgesat e emigrantëve. Por sa remitanca fiton në vit një familje? Nga një përllogaritje e thjeshtë del se ato fitojnë rreth 4,356 euro në vit, ose 363 euro në muaj për familje.

Nisur nga këto të dhëna sa humbasin familjet shqiptare nga rënia e euros? Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë mesatarja e kursit të këmbimit Euro-Lek, në vitin 2022, llogaritej në 118.98 lekë. Kështu, në vitin 2022 familjet shqiptare përfitonin 43,189 lekë në muaj nga remitancat. Por sa përfitojnë tani me rënien e euros? Sipas të dhënave zyrtare një euro këmbehet me rreth 107 lekë. Nëse gjatë vitit 2022 familjet përfitonin rreth 43 mijë lekë, me kursin e këmbimit sot ato fitojnë 38,841 lekë. Pra, mund të themi se mesatarisht rënia e euros i merr një familje shqiptare e cila siguron jetesën nga remitancat rreth 4,348 lekë në muaj.

TË NGJASHME