Reagon ILD/ Vrau 3 gra, si u lirua nga burgu Dan Hutra para se të kryente masakrat në Tiranë?

by author

Tiranë- Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për lirimin nga burgu të Dan Hutrës, i cili është autor i disa masakrave në Tiranë.

Advertisements

Sipas ILD-së, vendimmarrja e gjyqtarit është në përputhje me ligjin, ndërsa bëhet e ditur se Hutra kishte përmbushur periudhën e dënimin, ndaj edhe ka dalë nga qelia më herët.

Advertisements

Deklarata e ILD:

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka përfunduar verifikimin e nisur kryesisht, të informacionit të bërë publik në media, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë më 1 Mars 2023, ku si pasojë e veprimeve të kryera nga shtetasi Dan Hutra, 3 gra kanë humbur jetën dhe janë plagosur tre të tjera, ndër të cilat, bashkëjetuesja e tij.

ILD vlerëson paraprakisht se faktet (veprimet apo mosveprimet e magjistratit), të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore, sipas kërkesave të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, nuk janë vetëm ato që parashtrohen në bazë të një informacioni publik, por janë ato që analizohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, apo vlerësohen në bazë të një procesi verifikimi apo hetimit disiplinor. Në bazë të një informacioni publik mund të paraqiten një tërësi faktesh, të cilat pretendohet se kanë ndodhur dhe që përbëjnë shkelje disiplinore, por Inspektori i Lartë i Drejtësisë, mund të bëjë një cilësim të saktë apo të ndryshëm të fakteve dhe veprimeve, që lidhen me shkeljen disiplinore, pa u lidhur me përcaktimin, që mund të pretendohet në këtë informacion publik. Në funksion të verifikimit të këtij rasti, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka administruar të dhëna shtesë dhe dokumentacionin përkatës nga Prokuroria e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës dhe nga Drejtoria e Burgjeve.

Nga verifikimet e kryera mbi informacionet mediatike për lirimin nga burgu të shtetasit Dan Hutra, rezulton se lirimi është rrjedhojë e një procesi gjyqësor me objekt “Kërkesë për shuarje mase sigurimi”, dhe vendimmarrja e gjyqtarit G. H. ka qenë në përputhje me ligjin, pasi i dënuari kishte përmbushur periudhën e dënimit me qëndrimin në paraburgim.

Nga verifikimet e kryera mbi informacionet mediatike lidhur me gjykimin e shkurtuar për shtetasin Dan Hutra, për veprën penale “Dhunë në familje”, rezulton se gjyqtari G. H. në ushtrim të kompetencave të tij për çmuarjen e vlefshmërisë së një akti procedural, sipas rregullimit përkatës në Kodin e Procedurës Penale, ka përfshirë edhe qëndrimin e të pandehurit për njohje të kërkesës së prokurorit R. K., duke pranuar gjykimin e shkurtuar, si gjykim në gjendjen e akteve të ndodhura në fashikullin e prokurorit me zgjedhjen e të cilit, i pandehuri heq dorë nga debati për provat, kërkesat për pavlefshmëri, duke pranuar që të gjykohet mbi bazën e të dhënave të marra në fazën e hetimeve paraprake, e përfituar për rrjedhojë ulje në masën 1/3 të dënimit, nëse dënohet. Nga verifikimet e kryera mbi informacionet mediatike për masën e dënimit të Dan Hutrës me 1 vit e 6 muaj burg, rezulton se kërkesa e prokurorit dhe vendimmarrja e gjyqtarit janë konform diskrecionit ligjor të magjistratit, në përcaktimin e masës së dënimit, bazuar në faktet e përcjella, përfshi dënimin e mëparshëm të të pandehurit për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe marzhin e sanksionit, që legjislatori ka përcaktuar për veprën penale “Dhunë në familje” (Neni 130/a/1 i Kodit Penal), vendimmarrje e konfirmuar edhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Në lidhje me mosadministrimin e dëshmisë së penalitetit, referuar analizës për individualizimin e dënimit, në kushtet kur në kuadër të rrethanës rënduese sipas nenit 50/1/ç të K. Penal, është marrë në konsideratë dënimi i mëparshëm i të pandehurit lidhur me vrasjen e bashkëshortes së tij, çmohet se mungesa e konstatuar e administrimit të dëshmisë së penalitetit nuk mund të vlerësohet si mospërmbushje e funksionit gjatë gjykimit, në kuadër të shkeljes disiplinore sipas përcaktimeve të nenit 101 dhe neni 102, pika 1 shkronja “ç” e ligjit me nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Në analizë të dokumentacionit të administruar rezultoi se në lidhje me procedurat ligjore të ndjekura gjatë hetimit, gjykimit apo fazës së ekzekutimit të çështjes penale të regjistruar në vitin 2022, në emër të shtetasit D. H. për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”, të parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal, si dhe procedurat ligjore të ndjekura gjatë hetimit, gjykimit apo fazës së ekzekutimit të çështjeve të tjera të mundshme penale të regjistruara në emër të shtetasit D. H., nuk konstatohen veprime apo mosveprime të magjistratëve, të cilat i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një dyshim të arsyeshëm, i cili justifikon fillimin e hetimit disiplinor sipas kërkesave të nenit 122, pika 1 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Në këto kushte, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në mbështetje të nenit 120 dhe 121, pika 2, shkronja “a” e ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenit 204, pika 1, shkronja “j” dhe nenit 2014 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, ka vendosur arkivimin pas verifikimit kryesisht të informacionit të bërë publik në media në lidhje me procedurat ligjore të ndjekura gjatë hetimit, gjykimit apo fazës së ekzekutimit të çështjeve penale të regjistruara në emër të shtetasit Dan Hutra.

TË NGJASHME