Me anë një statusi në rrjetin social Sali Berisha ka njoftuar vdejken e mjekut të njohur. Berisha i shpreh ngushëllime familjes Ohri për ndarjen nga jeta të njeriu të tyre të dashur.
Advertisements
Statusi i plotë i Sali Berishës:
Advertisements
Homazhe për Prof.Dr. Ilir Ohri.
Të dashur miq, dje humbi betejën me një sëmundje të rëndë dhe mbylli sytë pergjithmonë Prof.Dr. Ilir Ohri, një nga studjuesit dhe specialistët më të shquar në fushën e anestoziologjisë dhe reanimacionit të Shqipërisë.
Prof. Ilir Ohri udhëhoqi për shumë vite me përkushtim, aftësi të lartë profesionale dhe sukses, Shërbimin e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit në vendin tonë. Në karrierën e tij prej dekadash ai i asistoi me humanizëm dhe aftësi profesionale mijëra të sëmurve, u dha mësim mijëra studentëve dhe kualifikoi qindra mjek në fushën e tij.
Ai është autor i publikimeve të shumta e serioze brenda dhe jashtë vendi. Cilido që e ka njohur Prof.Dr. Ilir Ohrin e ka njohur si një njeri, familjar, mik, student, mjek, studjues shembullor. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmëve të tij lutem së bashku me ta që shpirti i mire i Prof.Dr. Ilir Ohrit të gjejë paqen e merituar. Amin. sb
Me pikëllim të thellë, ngushëllime familjes dhe njerëzve të dashur!
Do të na mungojë të gjithëve!
Qoftë i paharruar!
Mjeku i shquar Ilir Ohri është ndarë nga jeta këtë të enjte. Ohri është një prej figurave më të shquara të shërbimit të anestezi-reanimacionit dhe tё mjekësisë shqiptare.
Ai ka dhënë prej më shumë se 40 vitesh një kontribut të veçantë dhe të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij shërbimi në vendin tonë. Ohri ishte një nga themeluesit e shërbimit modern të anestezi-reanimacionit dhe drejtues i tij prej 30 vitesh.
Prof. Ilir Ohri ka lënë gjurmën e tij në ngritjen, funksionimin dhe perfeksionimin e të gjitha njësive të reanimacionit në Tiranë e në mbarë vendin. Ai bën pjesë në bërthamën e shkëlqyer të mjekëve, që themeluan Shkollën e Anestezi-Reanimacionit që në gjysmën e parë të viteve ’80.
Ai i ka ndarë pa kursim dijet e tij të gjera ndër vite, me qindra mjekë anestezistë, të cilët i janë mirënjohës dhe janë krenarë, që kanë qenë nxënës të tij.
Një nga kulmet e veprimtarisë së Prof. Ohrit në fushën akademike është edhe krijimi i Shkollës së Anestezi-Reanimacionit në Republikën e Kosovës dhe përgatitja e një plejade specialistësh të fushës atje. Gjithashtu, ai ka udhëhequr mjaft doktoratura në Universitetin e Prishtinës.
Veprimtaria shkencore e Prof. Ohrit është e gjerë, cilësore dhe e larmishme. Ajo pasqyrohet jo vetëm në aplikimin klinik të të rejave bashkëkohore të fushës, por edhe në artikujt e referimet e shumtë në shtypin shkencor kombëtar e ndërkombëtar.
Ai ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit dhe një nga drejtuesit aktivë të saj. Gjatë gjithë jetës profesionale Prof. Ilir Ohri është karakterizuar nga puna e pakursyer në shërbim të të sëmurëve më të rëndë, nga ndershmëria e lartë, nga profesionalizmi i rrallё, nga integriteti solid dhe nga personaliteti i palëkundur.