Ndërsa sot po mbahet seanca në Gjykatën e Posaçme për të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim të megaoperacionit “Metamorfoza, detaje të reja janë mësuar në lidhje me dosjen hetimore, ku tregon lidhjet e kriminelëve me biznesmenë, policë e zyrtarë të drejtësisë.
Advertisements
Në dosje tregohet dhe sesi nisi sherri mes efektivit të burgjeve Kleant Musabelliu dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka, që çoi në përplasje me armë mes tyre.
Advertisements
Si nisi konflikti mes Gjokës dhe Musabelliut
Në vitin 2017, efektivi i policisë së burgjeve Kleant Musabelliu është arrestuar për plagosjen e biznesmenit Pëllumb Gjoka.
Sipas prokurorisë, më 11 shtator të 2017-ës, Musabelliu ka qëlluar disa herë me armë ndaj Pëllumb Gjokës në rrugën “Hoxha Tahsimi” në Tiranë.
Por ky konflikt nisi pasi fëmijët e Musabelliut dhe Gjokës u zunë në shkollë e për këtë konflikt u futën dhe prindërit për ta sqaruar.
Paçka se shkolla i kishte pajtuar fëmijët prindërit kanë shkëmbyer në mbrëmje fyerje mes tyre që degraduan deri në përdorimin e armës ku sipas Musabelliut e bëri për vetëmbrojtje.
Musabelliu dhe Gjoka ishin takuar për t’u sqaruar, por në debat e sipër janë konfliktuar dhe për rrjedhojë punonjësi i SHKB e ka qëlluar atë në këmbë.
Aksioni i SPAK
Kështu rezulton gjatë hetimit të SPAK, që u finalizua dy ditë më parë me arrestimin e 6 të dyshuarve, mes tyre biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtuesi i forcës së Posaçme Operacionale Oltion Bistri, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, dhe shpalljen në kërkim të 9 të tjerëve
Hetimet nisën 7 muaj më parë, pasi autoritetet franceze i sollën SPAK fashikuj të tërë ku ishin zbardhur bisedat mes të dyshuarve në aplikacionet SKY dhe “ENCroChat’ ku ata flisnin hapur për vrasje, plane për të kryer atentate, korrupsion e krime të tjera. Në këtë hetim SPAK bashkëpunoi dhe me hetues belgë e holandezë.
Konkretisht, Ervis Martinaj, Pëllumb Gjoka e Behar Bajri flisnin për vrasjen e Boriçit dhe planin për të ekzekutuar Musabelliun. Një moment, Behar Bajri e informon Gjokën se kishte gjetur vrasës të huaj, por kërkonin 100 mijë, duke nënkuptuar 100 mijë euro.
“Jepi edhe 120 po të jetë nevoja, vetëm të kryhet”, i përgjigjet biznesmeni.
Në komunikimet mes të dyshuarve janë zbuluar se ata kanë folur me detaje për planet e atentateve, madje kanë dërguar dhe pamjet e vrasjeve, ndërsa rezulton se në rastin e Gjin Boriçit pasi e ekzekutuan, ata i shkruan edhe në varrim.
Në listë për të vrarë nga anëtarët e grupit kriminal sipas SPAK kishin renditur dhe emrat e Ibrahim Licit, mikut të tij, Dorian Duli dhe Genc Tafilit. Këtu del në skenë edhe Ardit Hasanbega, ish-zyrtar i policisë në Shkodër, që dyshohet se siguroi kushte për vrasjen e Ibrahim Licit, vrasje që nuk u krye.
Po ashtu zbulohet edhe përfshirja e Prekë Kodrës, një personazh problematik në botën e krimit. Grupi sipas SPAK po krijonte kushtet për të ekzekutuar edhe Taulant Pepajn. Në këtë episod përshihet direkt Elion Hato, miku i Ervis Martinajt.
Ndërsa, prokurori Xhevahir Lita ka komunikime me anëtarë të grupit me qëllim që ata të mbyllnin hesapet me drejtësinë. Ndërsa Oltion Bistri akuzohet për shpërdorim detyre dhe nxjerrje e sekreteve, pasi ka favorizuar Pëllumb Gjokën në biznesin e lojërave të fatit dhe e informonte atë për aksionet policore.
SPAK thekson se gjatë kontrollit të 26 banesave dhe ambienteve të ndryshme janë gjetur e sekuestruar armë të ndryshme zjarri, maska, pajisje elektronike monitorimi, servea dhe kamera, përmes të cilave monitoroheshin ambiente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës, shuma të konsiderueshme parash dhe automjete.