“Shqipëria nuk do jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë”, kështu deklaronte kryeministri Edi Rama dy vite më parë në lidhje me artikujt që mediat britanike publikonin për menaxhimin e flukseve të migracionit.
Advertisements
Pyetje: Si e shpjegoni faktin që mediat britanike shkruajnë se ministrat britanikë janë shpresëplotë në arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë për instalimin e një kampi refugjatësh këtu?
Advertisements
Rama: Nuk jam këtu për të shpjeguar deklaratat e ministrave britanikë. Por, meqë pyetët, Shqipëria nuk do jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë.
Por, sot, kryeministri Edi Rama ka firmosur në Romë një marrëveshje me homologen italiane Giorgia Meloni, e cila përfshin ngritjen e këtyre kampeve.
Shqipëria do të presë në qendrat e saj vetëm personat e shpëtuar në det dhe jo azilkërkuesit që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, me përjashtim të të miturve, grave shtatzëna dhe individëve vulnerabël, të cilët do të zhvendosen në Itali.
Qendrat janë në gjendje të strehojnë gjithsej deri në 3,000 nga 39,000 njerëz që priten brenda një viti.
Meloni tha se Italia do të mbulojë shpenzimet financiare, ndërsa sqaroi se në Shëngjin do të funksionojë një qendër që do të bëjë regjistrimin dhe verifikimin e emigrantëve, ndërsa foli për disa zona që Shqipëria do të ofrojë.
Mediat italiane raportuan se pas verifikimit, emigrantët do të strehohen në një qendër të posaçme në Gjadër të Lezhës.
Dy kryeministrat deklaruan se marrëveshja ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.
Rama, tha se e kishin diskutuar mundësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje verën e këtij viti, gjatë vizitës së Melonit, në jug të Shqipërisë.
Në konferencën për mediat u bë e ditur se zbatimi i marrëveshjes pritet të nisë pranverën e vitit të ardhshëm.
“Unë nuk besoj që ne nuk do të jemi në gjendje, të paguajmë atë borxhin që kemi drejt Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita e parë që kemi arritur [shqiptarët] në brigjet në këtë anë të bregut të detit, për të gjetur mbështetje dhe për të pasur një jetë më të mirë. Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, tha Rama.