“Stuhi deri më 20 Nëntor”, zonat më të rrezikuara nga moti i keq në vend(Video)

by author

Sinoptikania Lajda Porja nga MeteoAlb ka parashikuar gjendjen e motit përgjatë ditës së sotme dhe në vijim. Në një lidhe për Klan News, Porja thotë se kjo e Mërkurë do karakterizohet nga rrebeshe shiu deri në orët e vona të natës. Ndërsa nesër na pret një ditë pa shi, por më e ftohtë.

Advertisements

“Lajmet nuk janë shumë të mira, parashikohet që deri në 5 të mbasdites zonat veriore dhe qendrore do kenë intensitet reshjesh mesatare e herë pas here të lartë. Do bien mbi 80 mm që është një sasi e lartë duke marrë parasysh kohën afatshkurtër. Pastaj në zonat jugore nga ora 7 e mbrëmjes do ketë probleme qarku i Vlorës apo Gjirokastrës. Parashikohet të kemi një ndërprerje të reshjeve pas orës 10 të natës ku do ketë një dobësim gradual. Pastaj nga ora 24:00 deri në orën 03:00 do kemi rrebeshe shiu dhe stuhi, por që era do jetë e përkohshme. Nesër do ketë një përmirësim të ndjeshëm të motit, ndërsa të Premten do ketë një tjetër stuhi që do godasë brigjet e Shqipërisë. E Premtja dhe e Shtuna do ketë reshje në gjithë Ballkanin.”

Advertisements

“Të paktën deri në datën 20 Nëntor do prodhohen stuhi tropikale në Paqësor të cilat do godasin Italinë Jugore e rrjedhimisht edhe Shqipërinë. Të Dielën do ketë një përmirësim të ndjeshëm ndërsa të Hënën sërish reshje”, theksoi sinoptikania.

Zonat që duan më shumë kujdes?

-Shkodra e Lezha në veri-perëndim

– Kruja, Laçi, Tirana dhe Elbasani (Zonat e Shqipërisë së Mesme)

Sipas Porjas, përmbytjet në këto zona janë të pashmangshme.

–A rrezikohet lundrimi në zonat bregdetare?

Parashikohet që problematike të jetë kryesisht dita e sotme, nga ora 11:30 deri në orën 16:00, më pas do ketë qetësi. Sot parametri i erës nuk do jetë shumë problematik, por do ketë rrebeshe.

–A do ulen temperaturat?

Nesër do jenë temperaturat e ulëta, mëngjesi pa reshje, por i ftohtë. Të premten do ketë rritje të temperaturave, përplasjet e masave ajrore do sjellin reshje në fundjavë. Problematikë e këtyre ditëve do jenë më shumë reshjet se temperaturat. Nesër s’do ketë reshje dhe do ketë mundësi që të tërhiqen ujërat.

| Gjendja e motit sot në qytetet e vendit:

Tirana – Rrebeshe shiu, Veliaj thirrje qytetarëve: Të evitojmë lëvizjet e panevojshme

Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, ndërkohë që grupet e punës të Bashkisë së Tiranës janë në terren për normalizimin e situatës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiaku Veliaj kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të bashkëpunojnë me punonjësit e emergjencave.

“Kujdes të shtuar sot me valën e re të rrebeshit! Të gjitha skuadrat janë në terren dhe po bëjnë maksimumin për përballimin e situatës! Si herën e fundit, do evitojmë lëvizjet e panevojshme dhe do bashkëpunojmë me punonjësit e emergjencave! Kujdes të moshuarit e fëmijët dhe telefononi 112 për çdo rast kritik! Forca”, shkruan Veliaj.

Pranë çdo kryqëzimi në kryeqytet janë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët po punojnë për normalizimin e situatës.

Lezhë – Reshje të dendura, rrezikohet përmbytja e disa banesave

Reshjet e shiut në qarkun e Lezhës gjatë natës kanë qenë me intensitet të lartë.

Gazetari i Klan News Martin Marku raporton se prej shkak të reshjeve të dendura është fryrë përroi i Zmejës në Rrëshen dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave si pasojë e daljes së tij nga shtrati.

Nga Shtabi i Emergjencave mësohet se si shkak i inerteve është bllokuar aksi Skuraj-Burrel. Gjithashtu mësohet se emergjencat civile ndodhen në terren për të monitoruar situatën.

Durrës – Përmbyten rrugët, njerëzit kalojnë rrugën mes ujit

Qyteti i Durrësit është përfshirë sërish nga reshje të dendura shiu, ndërkohë që menjëherë disa rrugë të qytetit u përmbytën.

Gazetarja Enkeleda Arapi raporton se reshjet nisën me intensitet të lartë gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm dhe për këtë arsye rrugët pranë kryqëzimit të stadiumit në lagjen 17 si dhe pjesërisht në lagjen 18, u bën të pakalueshme. Menjëherë niveli i ujit arriti të dalë në trotuare duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve në zonat e përmbytura.

Përkeqësimi i motit nuk ka sjellë probleme në port, nga ku raportohet se tragetet që janë nisur natën e djeshme nga Italia, pritet të mbërrijnë në orar në portin e Durrësit. Përkohësisht të bllokuara do të jenë mjetet lundruese të tonazhit të ulët si dhe anijet e peshkimit.

Rrëshen – Rrezik për përmbytjen e disa banesave

-Në një reagim për mediat, Ministria e Mbrojtjes thotë se po punohet nga forcat në aksin rrugor Skuraj-Burrel, ku ka rënie masive gurësh dhe bllokim të rrugës, në fshatin Shkopet si dhe në njësinë administrative Milot, në Kurbin. Ka prani uji në oborret e disa banesave në Mirditë, për shkak të daljes së përroi të Zmejës nga shtrati. Po ashtu po punohet për riparimin e defekteve në sistemin energjetik në disa zona në Kukës, Tropojë, Shkodër. Ministria shton se të gjitha forcat janë në terren për të shmangur çdo problematikë që shfaqet.

/tvklan.al

TË NGJASHME