Korrupsioni dhe makutëria në doganat shqiptare po cenon rëndë sigurinë kombëtare pasi nga denoncimet në “News 24” shihet qartë që punonjësit ofrojnë gjithçka në këmbim të parave.
Advertisements
Në videot që “News24” ka publikuar, vërtetojnë faktin se si kufijtë e Shqipërisë janë kthyer në han pa porta, ku subjektet private marrin dhe i vendosin vetë plumbçet e sigurisë në kamionët që transportojnë mallra importi apo eksporti. Sipas procedurave për çdo kontroll fizik, ngarkesa që kryen procedurën vuloset me plumbçe me qëllim që malli që është brenda të mos preket deri në destinacionin final.
Advertisements
Por në doganën e Durrësit plumbçet e sigurisë administrohen lirshëm nga subjektet private. Në një rast, doganieri Ermir Hazizi i sektorit fizik të importit, i jep plumbçen subjektit dhe i merr paratë. Në bisedën mes doganierit dhe qytetarit shihet qartë që doganieri mundohet t’i krijojë mundësinë e marrjes së ryshfetit pa pasur asnjë frikë se veprimi që po bën është i dënueshëm.
Doganieri i kontrollit fizik tek importi, Ermir Hazizi: E bardha është e jotja. Atë të verdhën ku e ke?
Qytetari: E ka shoferi.
Doganieri i kontrollit fizik tek importi, Ermir Hazizi: Dil te dritarja. (Qytetari del jashtë te dritarja. Doganieri i jep letrat dhe plumbçen dhe i merr lekët)
Doganieri i kontrollit fizik tek importi, Ermir Hazizi: Me përgjegjësi këto.
Qytetari: Po, mo. Rrofsh!
Në çdo video vërtetohet fakti se plumbçet e sigurisë, të cilat kanë një tarifë simbolike prej 80 lekësh, jepen kundrejt ryshfetit. Një zyrtari nuk i lejohet asnjëherë të marrë lek cash i veshur me uniformë, pasi duhet me mandat dhe pagesa në bankë.
Doganieri i kontrollit fizik tek importi, Ermir Hazizi: Ule dorën, merri dhe ik!
Në video shihen se subjektet janë të lira të vendosin vetë plumbçen e sigurisë si në import, ashtu edhe në eksport, kundrejt ryshfetit, ndërsa kontrolli fizik nga doganierët nuk ushtrohet duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare.
Shoferi që vendos plumbçen: Ma jep pak pincën.
Pamjet tregojnë pastër se pasi shoferi vendos plumbçen, qytetari shkon te doganieri fizik i eksportit, Gentjan Disha, dhe i jep paratë. Në një video tjetër, doganieri i fizikut tek importi, Muharrem Shehu merr ryshfet për plumbçen e sigurisë. Mungesa e këtyre plumbçeve në ngarkesat e mallit është vepër penale. Nuk është çështje vetëm kontrabande, pasi përmes një ngarkese të pavulosur mund të futen me mijëra mallra të ndaluar, që nga droga, armët dhe paratë e pista, deri te lëndët radioaktive apo helmuese që mund të përdoren për qëllime terroriste. Në shumë raste të ngarkesave me kokainë te zbuluar pikërisht në portin e Durrësit, plumbçet e sigurisë ishin hequr.
Skandali i korrupsionit me doganierët, në skemë dhe vëllai i këshilltarit të Ramës
Një investigim i punës në doganën e Durrësit ka vërtetuar katërçipërisht korrupsionin kapilar në dogana. “News 24” ka publikuar pak ditë më parë disa raste të marrjes së ryshfetit të pastër në Portin e Durrësit, ku përveç korrupsionit flagrant cenohet siguria kombëtare dhe interesat e ligjshëm të shtetit, duke i lënë në duart e subjekteve private vulat zyrtare.
Një super skandal pasi pamjet nuk lënë vend për dyshim se kemi të bëjmë me një rrjet të mirëfilltë i shtrirë në të gjitha strukturat e doganës, ku çdo hallkë e sistemit është e lidhur me njëra tjetrën në funksion të ryshfetit. Me sektorët e hetimit dhe informacionit që janë pjesë e kësaj skeme. Për t’u nënvizuar është se të gjitha rastet e marrjes së ryshfetit bëhen nëpër zyra dhe sportele doganore, nën monitorimin e qindra kamerave të sigurisë, por të pashqetësuar doganierët marrin haptas paratë. Në një video duket shefi i turnit te sektori i eksporteve në portin e Durrësit, Drini Maxhari, që merr paratë nga subjektet private. Në rrjetin e ryshfetit janë dhe të afërmit e drejtuesve më të lartë të qeverisë së rilindjes.
Doganieri i kontrollit fizik të importeve në portin e Durrësit, Skerdilajd Palnikaj, vëllai i Dritan Palnikaj, ishsekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ish-drejtor i Shërbimit të Brendshëm të Burgjeve dhe aktualisht këshilltar i Kryeministrit Rama, siguron subjektin privat pas marrjes së ryshfetit se nuk do ketë pengesa në futjen e mallin në territorin shqiptar. Në bisedën e filmuar dhe transmetuar nga “News 24” shihet që doganieri Skerdilajd Palnikaj të thotë se “Jepja letrat, ka shumë mundësi që do vish prapë te mua” ndërsa afron dorën dhe merr paratë duke e garantuar se: Po erdhe, pa merak ta mbyllim direkt”.
Burime të sigurta brenda doganave garantojnë se në dijeni të situatës janë të gjithë drejtuesit dhe strukturat e hetimit dhe ato të informacionit të brendshëm, që bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh. Burimet thonë se nuk ndërhyhet pasi kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë në formë organigrame, ku doganierët në terren paguajnë haraçin te shefat e turnit për çdo deklaratë doganore, këta të fundit kalojnë pjesën takuese te drejtorët e degëve, të cilët nga ana tyre duhet të përgjigjen te zyrat qendrore te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo skemë nuk funksionon vetëm në portin e Durrësit, por zbatohet në çdo pikë doganore në vend.
Korrupsioni në Doganën e Durrësit përfshin edhe skanerin e kontrollit të mallrave
Superskandali i korrupsionit në doganën e Durrësit përfshin edhe skanerin e kontrollit të mallrave. “Siguria në kufi është një nga sfidat e sigurisë me komplekse dhe kritike që qeveritë hasin në ditët e sotme”, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në faqen e saj zyrtare në përpjekje për të propaganduar shërbimin e skanerit. Por skaneri në portin e Durrësit nuk fut ujë vetëm në kokainën e fshehur në arkat me banane, të cilat nuk zbulohen, pasi për çdo deklaratë doganore duhet paguar ryshfeti.
Në videon që “News 24” disponon, shihet doganieri i skanerit, Elton Hamzai, i cili e orienton subjektin që bën procedurën e skanerit se ku të lejë bakshishin. Biseda është aq e lirshme sa kuptohet se kemi të bëjmë me një sjellje normale, ku subjektet private duhet të paguajnë haraçin për të kaluar mallrat në doganë, si në import, ashtu dhe në eksport. Qeveria dhe Ministria e Financave mburren me këtë pajisje dhe qytetarët e paguajnë shtrenjtë shërbimin e skanerit, por marrja haptazi e parave tregon se si kjo procedurë nuk është aq e sigurt. Ndërkohë, familjariteti me korrupsionin në doganë është aq i fortë sa doganierët bëjnë pazare për ryshfetin si njësi dhe jo si individ. Kështu në një material tjetër doganierët Ermir Hazizaj dhe Emir Ibro i thonë subjektit që ryshfeti i dhënë nuk mjaftohen dhe se duhen para të tjera. Por më skandalozja është se i gjithë dialogu bëhet në sy të doganierëve të tjerë, të cilët qeshin me bisedën. Doganier Ermir Ibro thotë se “5 mijë lekë për një”, ndërsa qytetari i kthehet se nuk e dinte.