Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka njoftuar rregullat e reja për drejtuesit e mjeteve. Në njoftimin e mëposhtëm thuhet se drejtuesit e mjeteve që humbasin të gjitha pikët e patentës do t’i nënshtrohen nga e para testit të autoshkollës për ta marrë sërish lejen e drejtimit.
Advertisements
Pra në fillim do të kryejnë kursin e autoshkollës, provimin e teorisë me 30 pyetje dhe më pas do t’i nënshtrohen testit të praktikës. Më tej thuhet se autoshkollat nuk mund të operojnë me çmime nën një vlerë të caktuar që do ta përcaktojë Drejtoria në fund të çdo viti. Këto rregulla të reja do të hyjnë në fuqi jo më vonë se 1 qershori.
Advertisements
Drejtuesit e mjeteve rrugore që humbin të gjitha pikët e patentës, e cila iu hiqet për shkelje të rënda e të përsëritura, do t’i nënshtrohen kursit nga e para në autoshkollë për të rimarrë sërish lejen e drejtimit. Procedura është e njëjtë me herën e parë. Fillimisht do t’i drejtohen autoshkollës në fund të së cilës i nënshtrohen një testi teorie të veçantë.
Do të jenë 30 pyetje, të gjitha nga kapitulli i normave të sjelljes, nga i cili do të mund të kalojnë në fazën tjetër jo me katër, por maksimalisht me tri gabime. Më tej, ndonëse mund të kenë qarkulluar më herët në rrugë, ata do t’i nënshtrohen edhe testit të praktikës pranë DPSHTRR. Ata që duan të ngasin një ciklomotor, do të duhet të futen në testim gjithashtu, gjë që më parë nuk nevojitej.
Bëhet fjalë për ciklomotorat, kategoria AM (deri 50 ç, jo mbi 45 km/h), që DPSHTRR shton se ka ardhur si kërkesë e Direktivave EU dhe e Marrëveshjeve të Njohjeve dhe Konvertimit të lejedrejtimeve. Risia tjetër e udhëzimit, që pritet të hyjë në fuqi në 1 qershor, lidhet me autoshkollat. Ato nuk mund të operojnë me çmime nën një vlerë të caktuar që do ta përcaktojë Drejtoria në fund të çdo viti, pas një koordinimi zyrtar me përfaqësuesve të autoshkollave. Veç vlerës monetare dysheme, edhe materialet didaktike, manualet e përgatitjes teorike dhe praktike, fizike e virtuale, do të unifikohen.
“Disiplinimi i lejes së aktivitetit për hapjen e autoshkollave të reja në rang bashkie apo qarku sipas numrit të popullsisë, forcim i rolit dhe përgjegjësisë së drejtuesit teknik të autoshkollës, ulje e moshës së mjeteve që i shtohen në vijim flotës së autoshkollimit”, nënvizon DPSHTRR në njoftimin e saj, teksa shton se zbatimi i këtyre ndryshimeve të parashikuara në udhëzim do të nisë jo më vonë se 1 qershori.