Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja babë e bir e ndodhur ditën e djeshme në Shkodër, një krim i rëndë që tronditi jo vetëm qytetin veriperëndimor, por gjithë vendin. Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe djali i tij Eduart Gurra, 31 vjeçjanë viktimat e kësaj ngjarje të rëndë në fshatin Bruçaj të njësisë Pult në Dukagjin.
Advertisements
Të dy po shkonin me fuoristradën e tyre drejt shtëpisë së djegur në Dukagjin dy ditë më parë. Ende pa mbërritur tek banesa e shkrumbuar disa persona i kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar me armë e zjarrit automatik kallashnikov duke i lënë të vdekur në vend brenda automjetit.
Advertisements
Ngjarja ka ndodhur tek një kthesë e padukshme në një zonë të pyllëzuar, afro 500 metër pa mbërritur tek banesa e djegur e Gjokë dhe Eduart Gurrës. Autorët i kanë zënë prit pasi kanë pasur informacionin e saktë se dy viktimat po shkonin drejt banesës së tyre të djegur dhe aty nga distanca i kanë qëlluar me breshëri plumbash automatiku duke bërë që të humbin jetën në mënyrë të menjëhershme.
Pasi janë siguruar se Gjokë Gurra dhe Eduart Gurra kanë ndërruar jetë, autorët janë larguar në drejtim të paditur. Një prej pistave kryesore të këtij hetimi lidhet me dhënien e informacionit të shtetasit Gjokë Gurra për policinë e shtetit në aksionet për asgjësimin e kanabisit në zonën e Dukagjinit. Gjokë Gurra para afro 20 vitesh ka qenë efektiv policie por ka ruajtur kontaktet dhe marrëdhëniet me ish-kolegët. Sipas burimeve, 57-vjeçari herë pas here ka informuar policinë e Shkodrës lidhur me parcelat e kultivuara me kanabis sativa në Dukagjin. Kjo mbetet ende një pistë hetimi e pakonfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë një tjetër pistë hetimi ku është përqendruar policia është edhe lëndët drusore ku babë e birë që mbetën të vrarë punonin prej vitesh duke i transportuar nga Dukagjini drejt Shkodrës, edhe pse kjo pistë është më pak e besueshme për grupin hetimor. Ndërkohë nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera që Gjokë Gurra dhe djali i tij mund të kenë pasur me persona të ndryshëm. 57-vjeçari ishte edhe pronar i një lokali në afërsi të drejtorisë vendore të policisë Shkodër, ku edhe banonte prej vitesh.
Autorët e kësaj ngjarje ende nuk janë identifikuar dhe policia po punon për identifikimin dhe gjetjen e tyre. Zbardhja e ngjarjes mbetet e vështirë për shkak se forcat e policisë kanë mbërritur pas 2-3 orësh sepse rruga është e amortizuar në një terren të vështirë malor, çka i ka favorizuar autorët që të kryejnë vrasjen dhe të largohen në drejtim të paditur.