MIQËSORJA/ Minifutboll, Mali i Zi fiton testin me Shqipërinë

by author

Kombëtarja shqiptare e minifutbollit amator është mundur me rezultatin 0-2 në miqësoren e djeshme përballë Malit të Zi, takim që u zhvillua në kompleksin “Skënder Halili” në Tiranë.

Advertisements

Ndonëse e kishin lojën në kontroll në pjesën më të madhe të kohës, kuqezinjtë u ndëshkuan në minutat e fundit.

Advertisements

Gjithsesi, në një takim të tillë testues, trajnerët Olsi Xhaferi dhe Irtan Sejko morën sinjale të rëndësishme mbi skuadrën, ndërsa lojtarët patën mundësi të njihen edhe më mirë me lojën e njëri-tjetrit. Kujtojmë që ky takim ishte në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian “6×6” që do të mbahet këtë verë në Sllovaki.

NDESHJA – Shqipëria e filloi lojën me Dikollarin në portë, për të vijuar më pas me Lecin, Shimën, kapitenin Hysenbelliu, Nuzën dhe Bibën. Minutat e para ishin të qeta, ndërsa gradualisht kuqezinjtë nisën të shtynin më shumë drejt portës malazeze.

Kërcënimi i parë erdhi nga Biba, i cili u ndal nga portieri Milankoviç pas një aksioni të bukur, ndërsa në tentativën e dytë topi i goditur nga Hysenbelliu përfundoi në rrjetën e jashtme. Më tej me radhë provuan Shima dhe Dajti, por pa mundur ta gjenin golin.

Malazezët qëndruan thuajse gjatë gjithë kohës në gjysmëfushën e tyre, duke menduar më tepër për fazën mbrojtëse, me fraksionin e parë që u mbyll me rrjeta të paprekura. Kuqezinjtë e nisën me vrull edhe pjesën e dytë, fillimisht provoi Hysenbelliu, ndërsa më pas Mahmutaj pati dy mundësi të mira, por që nuk arriti t’i konkretizonte.

Seria e rasteve për Shqipërinë vijoi me Bibën, goditja e të cilit përfundoi mbi tra, ndërsa Premçi u ndal nga portieri pas një diagonaleje të rrezikshme. Por, atëherë kur më pak pritej, Mali i Zi goditi pas një kundërsulmi të shpejtë, me Tuzoviçin që “dogji” portierin Rei Xhaferi, duke ia ndalur sferën në rrjetë pas një vertikalizimi të bukur në minutën e 43-të.

Pas golit të papritur, Shqipëria u hodh e gjitha në sulm, madje duke luajtur me lojtarë në vend të portierit.

Kjo bën që hapësirat në prapavijë të jenë akoma më të mëdha dhe pikërisht nga një situatë e tillë malazezët gjejnë golin e dytë, dy minuta nga fundi i kohës së rregullt. Vujoseviç me gjuajtje nga distanca realizon me portën të boshatisur. Kështu gjithçka mbyllet 0- 2 në favor të miqve.

TË NGJASHME

Leave a Comment